TIRANË

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka duke komentuar vendimin e Këshillit Europian  për shtyrjen e negociatave për në tetor, shprehet  me ironi se kjo maxhorancë ka “ngelur sërish për vjeshtë” .

Ai pohon me një shënim në “Facebook” se shqiptarët duhet të reagojnë për përgjimet ashtu siç bëjnë bashkëqytetarët e tjerë europianë, me qëllim përmbushjen e të gjithë aspiratave. Sipas Dukës, kjo qëndresë do të startojë të premten, konkretisht në protestën e radhës kombëtare të opozitës së bashkuar.

Postimi i Dukës:

“Edhe njëherë të ngelur për vjeshtë! Sigurisht jo shqiptarët, që e meritojnë prej shumë kohësh hapjen e negociatave, por kjo mazhoracë ilegjitime që sundon me krim dhe korrupsion.Sidoqoftë lajmi që vjen sot nga Brukseli është i mirë, sepse vjeshta duhet të jetë një stinë e re politike për Shqipërinë. Por kjo stinë nuk mund të vijë me ata që morën me grusht shtetin, që blenë turpin e tyre (në Dibër e në Durrës, me gjasë në gjithë vendin), që kthyen sëprapthi çdo logjikë të shëndoshë politike, që kriminelin e bëjnë deputet dhe deputetët i bëjnë vartës të kriminelëve.

Që Europa e re, e cila lindi nga votimet e fund-majit, të gjejë një Shqipëri të re, duhet të çojmë deri në fund betejën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për një qeveri Tranzitore që t’i japë fund Tranzicionit dhe aventurierëve që përfitojnë prej tij. Në një vend normal detyra e një politikani do të ishte të fliste për bujqësinë, arsimin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik etj. Por, prej të paktën 5 vitesh, të gjithë energjitë tona janë përthithur nga një betejë e pabarabartë me një grupim politik që ka ndërthurur institucionet shtetërore me botën e krimit. Që kjo simbiozë të shembet, që kjo jetesë e përbashkët e dy organizmave të rrezikshëm me dobi reciproke t’i hapë rrugën Shqipërisë europiane, që normaliteti të mbizotërojë në jetën tonë politike, duhet të bëhemi europianët e vetes.

Duhet që të reagojmë ashtu sikurse do të reagonin të gjithë qytetarët perëndimorë përballë përgjimeve dhe një mazhorace ilegjitime, duhet të protestojmë dhe të jemi qëndrestarë deri në përmbushjen finale të aspiratave të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, duke nisur nga 21 Qershori!”-shkruan ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb