TIRANE– Nënkryetarja e Partisë Republikane, Brunilda Laboviti, doli sot me një deklaratë për shtyp, duke përshëndetur në emër të kryesisë të PR, hapjen e negociatave për Anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Duke shprehur mirënjohjen për aktorët që ndihmuan në këtë proces, Laboviti theksoi se tashmë zbatimi i Reformës në Drejtësi, por edhe i Reformës Zgjedhore, janë një obligim për të vazhduar si evropianë në rrugën e gjatë drejt kësaj familje të madhe.

“PR deklaron se Rekomandimi për Hapjen e Negociatave për Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe për mbarë shqiptarët kudo që janë”, tha Laboviti.

DEKLARATA E PLOTE
Partia Republikane e Shqiperise deklaron se Rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe për mbarë shqiptarët kudo që janë.

Partia Republikane e Shqipëris falenderon ,të gjithë aktorët politik ndër vite , që kane punuar dhe kontribuar me përkushtim për të arritur këto ditë historike për vendin tonë.

Një falenderim i vacant shkon për komisionerin Hahn dhe ekipin e tij.

Partia Republikane shpreh bindjen se kontributi i të djathtës si në opozite dhe qeveri është domethënës. Shqiperia do i kishte hapur negociatat vite më parë nese Rama nuk do i kish penguar për 3 vjet me radhë.

Konsensusi i opozites për Reformen në drejtesi ishte vendimtar për hapjen e kushtëzuar të negociatave Kushtëzimi që i është bëre qeverise tregon qartë se Bashkimi Europian nuk pajtohet me krimit dhe korrupsionin qeveritar

Shqipëria tashmë ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm në lidhje me procesin e integrimit evropian, por në të njëjtën kohë duke ndikuar që ky proces të bëhet një realitet i prekshëm për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Qëllimi ynë kombëtar mund të përkufizohet si “Të gjithë shqiptarët të bashkuar në Bashkimin Europian”.

Por për të arritur këtë Partia Republikane e Shqipërisë do jete e përkushtuar:

1. Pikë së pari dhe më e rendësishmja, për realizimi me sukses të zbatimit të reformës në drejtësi.

2. Garantimin për zgjedhje të lira e të ndershme .

3. Shqipëria merriton një reformë zgjedhore dhe mos ndjekjen më të praktikave zgjedhore të deritanishme.

4. Lufta ndaj korupsionit , kanabisit dhe kriminalitetit.

5. Partia Republikane e Shqipërisë , ju bën thirrje gjithë Politikanëve shqiptarë që duhet të kuptojnë dhe të bashkëpunojnë në mënyrë të organizuar në shërbim të sfidave të integrimit për të gjithë shqiptarët.

6. Ekonomia është ajo që do të ndikojë në masë të madhe në rrugën tonë evropiane dhe në të ardhmen tonë euroatlantike si komb.

Më shumë se çdo thirrje “patriotike”, ose manipulim politik me çështjen kombëtare, ia vlen të sigurojmë dinjitetin individual, lirinë dhe ndërtimin e ekonomisë evropiane për çdo shqiptar, kudo që ata jetojnë. Kjo është mënyra e vetme për të arritur të ardhmen tonë të përbashkët si një komb.

Detyrimi ynë është që të ndihmojmë dhe jo të vendosim shqiptarët nën kontroll. Ne të gjithë i përkasim të njëjtës së ardhme, ne kemi një fat: të jemi të gjithë së bashku, me historinë tonë, kulturën dhe ekonominë tonë në Europën e Bashkuar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb