Komisioni Evropian ka publikuar këtë të mërkurë paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian. Bëhet fjalë për dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit.

Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa u vlerësua ecuaria e këtyre dy shteteve në reformat dhe zbatimin e ligjit.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor të zgjerimit në Komisionin Euroipan, eurokomisioneri, Jonahes Hahn foli edhe për rrugëtimin e Kosovës, të cilës i kërkoi heqjen e taksës për mallarat serbe. Duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Hahn përcolli një mesazh  të fortë për Serbinë dhe Malin e Zi dhe iu kërkoi të jenë më fleksibël në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e reformave

“Serbia dhe Mali i Zi duhet të rrisin përpjekjet e tyre për të zbatuar reformat në zbatimin ligjor. Sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të dyja vendet duhet të shmangin çdo veprim që konsiderohet si provokim nga të tjerët. Progresi i bërë i Kosovës është  vënë në hije nga taksa, e cila duhet të hiqet. Turqia ka nisur të largohet nga BE duke larguar balancën në sistemin politik. Edhe në 2018 KE vuri në pah se negociatat e Turqisë janë të bllokuara dhe ky vlerësim është edhe për këtë vit. Kjo është paketa e fundit që raportojmë dhe duhet të shpreh mirënjohjen tuaj  për angazhimet e treguara. Të gjithë duhet të jemi krenarë për arritjet, por ajo që është arritur është e mundur edhe falë angazhimit tonë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer”-tha ai.

Komisionari evropian për çështjet e zgjerimit, Johannes Hahn më herët për Radion Evropa e Lirë konfirmoi që Komisioni Evropian, përsëri këtë vit, do të dalë me rekomandimin për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Këto dy çështje do të diskutohen më vonë në nivel të ministrive të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pasi vendimi i fundit për hapjen e negociatave merret nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së përmes një samiti të rregullt.

Raport i këtij viti gjithashtu është i rëndësishëm për Bosnjë e Hercegovinën, e cila këtë herë merr zyrtarisht dokumentin e quajtur Avis, që është mendimi i Komisionit Evropian për gatishmërinë e vendit që të bëhet kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Ky është një dokument, i cili do të përcaktojë gjendjen e përgjithshme të vendit dhe gatishmërinë e saj për t’u bërë anëtare potenciale e BE-së.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb