Nga Dr. Valbona Nathanaili
Rregullimi i një pjese të kufirit detar me Greqinë, në jug të vendit, ka disa vite që është shndërruar në shqetësim publik. Marrëveshja e arritur në vitin 2009, kur ministër i Jashtëm ishte z. Basha dhe shumicën në pushtet e zotëronte Partia Demokratike, sot është përsëri në rend të ditës. Arsyeja: Marrëveshja e lidhur nga demokratët i falte Greqisë më shumë det! Këtë radhë është Partia Socialiste që udhëheq bisedimet e reja, të dytat në radhë, përfaqësuar me ministrin e Jashtëm, z. Bushati. Pritshmëritë ishin që përvojat e hidhura të së djeshmes të shërbenin si mësim për të sotmen. Por jo!

Së pari, një çështje kaq delikate dhe që ka shkaktuar vazhdimisht indinjatë të thellë te publiku, trajtohet me të njëjtën neglizhencë dhe në të njëjtin sfond politik grindjesh, shtuar akuzat e kundërakuzat për tradhti kombëtare. Por jo vetëm njësoj me 10 vjet më parë, por edhe me 100 vjet më parë, kur duhej të rregullohej kufiri ynë verior tokësor. Sipas AKSh (dosja Pekmezi), më vitin 1918, një bashkëpunëtor i kolonel Bajram Beg Currit i dërgon dr. Gjergj Pekmezit, që në atë kohë jetonte në Austri, një letër, ku i lutet t’i dërgojë disa harta të mira të Shqipërisë, sepse shumë shpejt mbërrinte komisioni ndërkombëtar që merrej me këtë punë. Sipas letrës, “deri më sot nuk është përgatit asgjë për shkak të krizës në Ministri”, sepse “Partitë grinden për gjëra të vogla, kanë cmirë njëra-tjetrën” dhe “askush nuk shqetësohet për çështje që kanë lidhje me te ardhmen”.

Ne vazhdojmë ta shkruajmë historinë me të njëjtën “rimë”, që në përbërje të vargut të periudhës historike ka të njëjtat fjalë: grindje, mosmarrëveshje, mungesë transparence e profesionalizmi, dëshirë për t’u dukur dhe jo për të kontribuar realisht.

Situata u shndërrua në kufijtë e dramacitetit, kur opozita akuzoi një nga anëtarët e komisionit për spiun, ndërsa z. Bushati tregoi certifikatën e pastërtisë së tij lëshuar nga NATO. Sigurisht që nuk mund të pranoj, se agjencitë e inteligjencës së të gjithë botës dërgojnë listat e spiunëve të tyre te NATO dhe, NATO, pasi bën një kontroll nëse e ke emrin të përfshirë a jo emrin (opsioni search lehtëson shumë punë!), jep verdiktin: i pastër ose i papastër!!!!

Së dyti dhe në rrjedhojë të situatës së krijuar, anëtarët e komisionit të caktuar nga Ministria e Jashtme kanë humbur të drejtën për t’u quajtur negociatorë. Ata tashmë mund të quhen vetëm “palë” në zgjidhjen e një konflikti ndërmjet dy palëve, ne dhe Greqisë, interesave tona dhe interesave të tyre. Kjo falë gjuhës së komunikimit në publik që ka zgjedhur të përdorë ekipi “Rilindas”. Sipas z. Bushati, kjo marrëveshje është më e mirë, pasi u jep shqiptarëve më shumë det, sesa u jepte marrëveshja e z. Basha. Një deklaratë e tillë e shndërron një çështje teknike, në një çështje patriotike. Pra, ne jemi pala që përpiqemi të marrim sa më shumë det nga Greqia dhe për këtë arsye e duam Shqipërinë më shumë! Mirë z. Basha nuk ia arriti, por si mund ta arrijnë këta? Duke bërë hile? Pastaj, mund ta lejojë Greqia një gjë të tillë? Naive si pyetje, por të pashmangshme në rrjedhojë të atyre që thuhen. Në një klimë të tillë, shtuar edhe atë pak a shumë të ngjashme në anën tjetër të kufirit, vështirë se mund të merren vendime me gjakftohtësi, ndërkohë që humbet misioni kryesor i një negociatori: atij që ofron zgjidhje për një çështje. Sepse çfarë zgjidhje ka kur kërkohet më shumë det dhe jo më shumë profesionalizëm dhe teknicizëm? Sepse çfarë zgjidhje ka kur kërkon të denigrosh një marrëveshje me një gjuhë të dyshimtë, bulliste? Të parët që kanë veshë të dëgjojnë një mesazh të tillë janë anëtarët aktualë të komisionit. Frika është që i pret i njëjti fat. Nuk veprojnë, humbasin kreativitetin dhe besimin te procesi.

Dhe njësoj si 100 vjet më parë, erdhi propozimi për një palë të tretë, vetëm se roli i komisionit ndërkombëtar të vitit 1918, në vitin 2018 kërkohet t’i jepet Gjykatës së Hagës. Sigurisht që një zgjidhje është të shkohet edhe në Hagë. Është e natyrshme të artikulohet. Ndonëse përpara Hagës mund të provohej edhe alternativë e dytë, me negociator një shtet të tretë apo individ me autoritet ndërkombëtar në fushën e zgjidhjes së konflikteve.

Propozimet e mësipërme janë të vlefshme, por jo të volitshme. Shembujt e kësaj natyre janë të shumtë, por dëshpërues. Përpos kohës dhe parave shtesë që kërkojnë, ajo që është më e rëndësishmja, na humbasin shansin, që të paktën me fqinjët tanë, të ndryshojmë stilistikën e vargut historik, në mos për hatër të valles popullore që hoqi ministri i Jashtëm, për hatër të atyre qindra mijëra bashkatdhetarëve që punojnë e jetojnë në Greqi. Dhe ta shkruajmë këtë periudhë të historisë me fjalë që “rimojnë” me tolerancë, transparencë, bashkëpunim, profesionalizëm e integritet. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb