Makthi është rikthyer për Neymar. Braziliani doli me kyçin e djathtë të fryrë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës kundër Serbisë. Ai i kaloi 12 minutat e fundit plus rikuperimin (7) në pankinë, dukshëm me dhimbje dhe me fytyrën e fshehur në fanellën e tij për të mos treguar lotët që i rridhnin në fytyrë në momentin e zëvendësimit. Botërori i tij tashmë mund të përfundojë edhe nëse trajneri Tite është i bindur për të kundërtën. “Ai do të luajë përsëri këtu në Katar. Kupa e tij e Botës nuk ka përfunduar”, deklaroi tekniku brazilian.

Kampioni i PSG-së, i ngacmuar me faull me gjatë gjithë ndeshjes, u dëmtua në fund të ndeshjes, pas një përplasje me Milenkoviç që i ktheu kyçin e këmbës. Pas trajtimeve të para ai tentoi të ngrihej, por stafi mjekësor “thirri” menjëherë për një zëvendësim. Antoni e zuri vendin e tij. Mjeku brazilian, Rodrigo Lasmar, foli për një “ndrydhje të kyçit të këmbës së djathtë. Ai tashmë ka filluar trajtimin (me akull), por do të duhet të presim 24-48 orë për të kuptuar seriozitetin e dëmtimit”. Një frakturë, por edhe një dëmtim i ligamenteve do të shënonte fundin e Botërorit të Nejmar. Tifozët brazilianë u drodhën, edhe pse panë kampionin e tyre të dilte nga fusha (pa këpucën e djathtë) dhe më pas dëgjuan fjalët shpresëdhënëse të Tite.

Gjatë ndeshjes Neymar mori 9 faulle teka ai i fundit e hodhi në tokë. Yllit brazilian tashmë i janë rikthyer fantaznat e vitit 2014 kur u dëmtua në çerekfinale dhe iu desh të humbiste gjysmëfinalen kundër Gjermanisë, të cilën më pas shokët e tij e humbën 7-1. “Më rrëmbyen finalen”, tha ai i përlotur duke u larguar nga streha e Selecçaos 8 vite më parë. Një skenë që për të mirën e futbollit shpresojmë të mos përsëritet më.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: