Ka nisur në Shkallën e Parë të GJKKO-së seanca paraprake për ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato. Kjo gjykatë do të njihet me materialet e prokurorisë dhe pretendimet e mbrojtjes që më pas të vendos nëse do e kalojë çështjen për gjykim apo do ia rikthejë edhe njëherë prokurorisë për të plotësuar hetimet.

Sonila Qato dyshohet se ka shkelur barazinë me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ndërsa vetëm pak javë më parë 10 persona u morën nën hetim nga SPAK, mes tyre ish-drejtuesja e Autoritetit Rrugor shqiptar. Prokuroria e Posaçme ka gjetur elementë të veprës penale “shpërdorim detyre”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa hetimi vijon për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë gati 60 mln euro.

Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet dhe referoi materialet. Të pandehur janë Sonila Qato, Elona Gogo, Simon Prendi, Arbër Troka, Ariana Hasani, Erdit Salillari dhe Almir Hoxhaj. Ndërkohë nën hetim janë edhe Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti, Admir Pahumi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb