Të shtunën Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, do të pyetet rreth akuzave të ngritura ndaj tij për ngacmim seksual. Ky zhvillim vjen ndërsa zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit po shkon drejt fundit të hetimeve mbi këtë çështje, e cila ka dëmtuar reputacionin e tij dhe po i rrezikon përpjekjet për të kandiduar për një mandat të katërt vitin e ardhshëm.

Koha e intervistës në Albany, kryeqyteti i shtetit, u konfirmua të enjten për agjencinë e lajmeve The Associated Press nga dy persona në dijeni të çështjes, të cilët nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht mbi rastin.

Takimi i hetuesve me zotin Cuomo ishte dicka që pritej. Ai ka thënë që në fillim të hetimeve në muajin mars se “do të bashkëpunonte plotësisht”.

Intervista e së shtunës sinjalizon se hetuesit janë drejt fundit të punës së tyre. Hetuesit kanë zhvilluar seanca pyetjesh edhe me akuzueset e guvernatorit.

Zoti Cuomo, një përfaqësues i Partisë Demokrate, është akuzuar nga disa gra për prekje të papërshtatshme dhe komente fyese.

Fillimisht ai kërkoi falje dhe tha se “kishte marrë një mësim të rëndësishëm” në lidhje me sjelljen e tij me gratë, po që nga ajo kohë ai ka thënë se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe ka hedhur dyshime rreth motiveve të akuzueseve, si dhe disa kolegëve demokratë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e tij. Ai i ka hedhur poshtë thirrjet për t’u larguar nga detyra.

Një zëdhënës i zotit Cuomo i tha të enjten Associated Press se nuk kishte asnjë koment mbi zhvillimet e fundit. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit nuk pranoi të komentojë.

Seanca e pyetjeve që hetuesit do t’i drejtojnë zotin Cuomo u njoftua fillimisht nga gazeta The New York Times.

Ish-ndihmësja e tij, Lindsey Boylan, e ka akuzuar zotin Cuomo për ngacmim gjatë kohës që ajo punonte për të.

Një ish-ndihmëse tjetër, Charlotte Bennett, ka thënë se një herë, zoti Cuomo e kishte pyetur nëse ajo kishte patur ndonjëherë marrëdhënie seksuale me burra të vjetër në moshë. Avokatja e zonjës Bennett, Debra Katz, tha se zonja Bennett kishte biseduar online (përmes Zoom-it) për më shumë se katër orë me hetuesit.

Hetimet rreth dyshimeve për ngacmin seksual nga ana e zotit Cuomo, po mbikëqyren nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit, Letitia James./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb