Gazetari, i cili jeton në mërgim në Gjermani, është dënuar në Stamboll për spiunazh dhe mbështetje terrorizmi. Dy aktgjykimet kundër Can Dündar dalin nga procesverbali i gjykatës.

Can Dündar duhet të vuajë 18 vjet dhe nëntë muaj burg, sepse, sipas mendimit të gjykatësve, ai kishte marrë sekrete shtetërore me qëllim spiunazhi ushtarak dhe politik. Gjykata e dënoi Dündarin edhe me tetë vjet e nëntë muaj burg të tjera, për mbështetje terroriste, sipas protokollit. Ai u lirua nga akuza për bërjen të njohur të informacionit sekret. Gjykata urdhëroi gjithashtu që Dündari të arrestohet sërish.

Avokatët e gazetarit turk e bojkotuan gjyqin. Ata thanë se nuk dëshironin të legjitimonin një gjykim që tashmë ishte vendosur politikisht.

Zemërimi i Presidentit

Fillesën gjyqi kundër Dündarit e ka te një informacion gazete në vitin 2015, në të cilin gazeta kritike për qeverinë “Cumhuriyet” publikoi informacionin sekret, që supozohej të dëshmonte dorëzimin e armëve të qeverisë për kryengritësit në Siri. Si kryeredaktor i “Cumhuriyet”, Dündar mblodhi zemërimin e presidentit turk. Rexhep Tajip Erdogani e akuzoi Dündarin si “agjent” që zbuloi “sekretet shtetërore”. Vitin pasues, gazetarin e dënuan me më shumë se pesë vjet burgim për nxjerrje sekreti, por u lirua nga akuzat e spiunazhit.

Gjykata e Lartë në Ankara, megjithatë, e anuloi vendimin në 2018 dhe deklaroi se një proces i ri gjyqësor kundër Dündarit duhet të përfshijë edhe spiunimin. Kohët e fundit gjykata e kishte shpallur Dündarin në arrati. Në tetor, prona e tij në Turqi u konfiskua nga autoritetet.

Dündari ka jetuar në Gjermani që nga fundi i verës të vitit 2016. Kundër gazetarit në Turqi ka disa procese gjyqësore. Turqinë e kritikojnë rregullisht për kufizime sistematike të lirisë së shtypit. Turqia aktualisht renditet e 154-ta në listën e lirisë ndërkombëtare të shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij.

Shoqata e Gazetarëve Gjermanë: “Akt barbarie”

Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV) e kritikoi vendimin kundër Dündarit si “akt barbarie”. “Dündari ka hulumtuar, raportuar dhe zbuluar – kjo është një gazetari e mirë, por jo krim,” tha në Berlin kryetari federal i DJV Frank Überall. “Në vendet e lira ka çmime gazetarësh për këtë, në Turqi ka burgje.” Në këtë kontekst, ai u kërkoi autoriteteve gjermane të sigurisë mbrojtjen e plotë të gazetarot: “Një rrëmbim i kolegut tonë dhe dërgimi i tij në Turqi duhet të parandalohet me të gjitha mjetet”./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb