Forcat ukrainase do të tërhiqen nga qyteti i rrethuar i Severodonetskut, bëri të ditur një udhëheqës ushtarak rajonal ukrainas. Ai tha se nuk ka kuptim të rezistohet në qytetin lindor që ka qenë nën sulme pothuajse të vazhdueshme nga forcat ruse për disa muaj.

Parlamenti Evropian votoi në shumicë dërrmuese të enjten për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ky vendim e sjell Kievin një hap më pranë aleatëve perëndimorë, të cilët e kanë furnizuar me sasi të mëdha armatimesh, për ta ndihmuar atë të përballet me agresionin e Rusisë.

Votimi në parlament përfundoi me 529 vota në favor të Ukrainës, 45 kundër dhe 14 abstenime. Parlamenti Evropian miratoi gjithashtu edhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian të Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Në një postim në Twitter Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quante këtë “një moment unik dhe historik në marrëdhëniet Ukrainë-BE. “E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”, shkruante ai më tej.

Në një tjetër postim tjetër në Instagram zoti Zelenskyy shkruante: “Sapo kemi marrë kandidaturën, kjo është fitorja jonë”.

Votimi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se po dërgonin 450 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake në Ukrainë, përfshirë disa sisteme shtesë raketash me rreze të mesme veprimi, krahas një ndihme prej 1 miliard dollarësh, që Uashingtoni njoftoi një javë më parë.

Në një mesazh në Facebook, Kryetari i Parlamentit ukrainas Ruslan Stefanchuk falënderoi ligjvënësit evropianë për mbështetjen. “Ukraina është një vend i BE-së. Ne luftojmë për këtë të drejtë jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në sferën ligjore”, shkruante ai.

Në mënyrë që të tre vendet t’i bashkohen bllokut prej 27-anëtarësh, atyre u kërkohet të kryejnë një sërë reformash politike dhe ekonomike.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina “ka përmbushur tashmë afërsisht 70% të rregullave, normave dhe standardeve të BE-së”. Por ajo shtoi se duhet bërë shumë në çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, përballjen me oligarkët, nismat antikorrupsion, si dhe në garantimin e të drejtave themelore.

Këshilli Evropian, i cili përbëhet nga krerët e 27 qeverive të BE-së, do të thotë fjalën e fundit lidhur me anëtarësimin e Ukrainës. Votimi duhet të jetë unanim. Diplomatët thonë se procesi mund të kërkojë një dekadë për t’u mbyllur.

“Populli ukrainas i përket familjes evropiane. E ardhmja e Ukrainës është me BE”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. “Sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të gjatë së bashku”.

Në Bruksel udhëheqësit e BE-së diskutuan dhe mbi ndikimin e luftës në Ukrainë në sigurinë globale ushqimore, si dhe mbështetjen shtesë ekonomike, ushtarake dhe humanitare të BE-së për Kievin.

Zoti Zelenskyy tha se Rusia vazhdon të kryejë “sulme masive ajrore dhe me artileri” në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, duke shtuar se qëllimi i Moskës është “që hap pas hapi të shkatërrojë të gjithë Donbasin”./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb