“Më shkoi jeta duke rritur jetimë. Burri m’u vra për të sjellë dritat kur po ndërtohej hidrocentrali i Fierzës dhe djali m’u vra se nuk kishte asnjë mundësi për t’i paguar”. Kështu e nis rrëfimin e saj për Gazetën “Panorama”, Bardhe Doda, nëna e 50­-vjeçarit Arif Doda, që u vetëvra dje disa orë pasi OSHEE i kishte prerë energjinë elektrike në shtëpi.

Gruaja e moshuar rrëfen të gjitha mundimet që ka hequr mbi shpatulla ajo dhe i biri, ndërsa sot jetojnë pa asnjë të ardhur, aq sa edhe bukën e bëjnë vetë, pasi u shkon më lirë sesa ta blejnë në dyqan. Ajo thotë se arsyeja pse djali i saj shkoi drejt vetëvrasjes ishte debati që bëri të martën me elektricistët, pasi nuk i bindi dot që të mos ia prisnin dritat. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, nëna e ish­policit tregon rrethanat e ngjarjes dhe arsyet e saj. Ndërsa shprehet se, pavarësisht se të gjithë e morën vesh arsyen pse u vetëvra i biri, askush nuk e ka marrë mundimin që të paktën për mort të mos i lënë në errësirë dhe t’ua lidhin dritat.

A mund të na tregoni se si ndodhi ngjarja?
Unë nuk e di se si ndodhi, se nuk isha këtu. As me nusen nuk fola dot tamam se e mori policia për të dëshmuar a nuk e di se përse. Po me aq sa më tha para se ta merrnin, ajo ka qenë duke pjekur bukën në oborr, kur ndodhi ngjarja. Fëmijët kanë qenë duke luajtur. Ai është futur në dhomë dhe ka vrarë veten.

Pse e vrau veten djali juaj?
Ja pra, për këtë që e shihni edhe ju. Edhe tani që vdiq, prapë na lënë në terr. Për dritat që na i prenë, prandaj e vrau veten Arifi.

Kur jua prenë dritat?
Dje (të martën) erdhën ata elektricistët dhe na i prenë. Ne kemi nja 10 milionë lekë të vjetra pa paguar. Nuk kemi asnjë mundësi për t’i paguar pasi jemi të gjithë pa punë. Djali ishte i sëmurë. Punoi sa punoi, pastaj u sëmur dhe nuk kishte si të punonte më. Nusja mundohet me ndonjë punë fshati me aq sa mundet. Fëmijët janë të vegjël. Kush të punojë, unë? Unë që më shkoi jeta duke rritur jetimë? Burri m’u vra kur po ndërtohej hidrocentrali i Fierzës, në një aksident në punë. Vdiq për të sjellë dritat. I rrita fëmijët jetimë. Tani djali që m’u vra se nuk mundi t’i paguante dot dritat. Unë do të rris jetimët e djalit.

Po çfarë ju thanë elektricistët?
Nuk na lanë asnjë mundësi. Thanë ose paguani 700 mijë lekë, të vjetra, ose do t’i presim. Djali debatoi shumë me ta. Për këtë arsye edhe u sëmur më keq dhe vrau sot veten.

Ishte i sëmurë djali?
Ka 15 vjet kështu. Dikur nga viti 1997 deri në vitin 2000 ka qenë polic këtu në Tiranë. Pastaj u sëmur me depresion. U shtrua në spital, te 5­ a dhe më pas e vazhdoi mjekimin në shtëpi.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: