TIRANE – E shqetësuar si kushdo tjetër që do të dëgjonte një fjalë të keqe për fëmijën e vet, Zoica Simaku ka ndjekur debatin e ditëve të fundit që ka shkaktuar një intervistë e dhënë nga kantautori Gjergj Leka për gazetën “Panorama”. Ajo nuk do të kishte dashur të fliste për Parashqevinë në kushte të tilla, por është nënë dhe i shtrydhet shpirti tek dëgjon se si i përgojohet emri i së bijës. Asaj i vjen keq që është pikërisht Gjergj Leka që i ka artikuluar ato fjalë dhe, sipas saj, ai është një i papërgjegjshëm që do të vihet në qendër të vëmendjes, duke përgojuar kolegët. “Nuk është aspak e vërtetë se Parashqevia ishte e privilegjuar për shkak të paraqitjes së saj fizike, por prej vokalit dhe talentit të madh që ajo kishte”, – thotë Zoica Simaku.
Sa i takon të bijës, ajo thotë se Parashqevia gëzon shëndet të mirë dhe nuk është e vërtetë se është e sëmurë, madje ka zhvilluar edhe disa koncerte në Amerikë. Thotë se flet me të çdo ditë, madje vetëm dy orë para intervistës për “Panoramën”.
“Jemi njohur me deklaratat e kompozitorit Gjergj Leka dhe të them të drejtën, nuk i kemi pritur aspak mirë. Jam shokuar nga çfarë ai thotë për karrierën disavjeçare të vajzës sime, ashtu sikurse për jetën e saj personale. Të merresh me deklarata të tilla, nuk është gjë tjetër veçse humbje kohe, por si nënë jam prekur thellë nga ajo çfarë z. Leka ka thënë për Parashqevinë. Të jeni të sigurt se Parashqevi Simaku ka pasur dhe vazhdon të ketë një talent të jashtëzakonshëm në të kënduar. Nuk është aspak e vërtetë se Parashqevia ishte e privilegjuar për shkak të paraqitjes së saj fizike, por prej vokalit dhe talentit të madh që ajo kishte. Jetën e saj artistike Parashqevia e ka ndërtuar falë punës, pasionit dhe talentit që ajo zotëronte. Artist më të mëdhenj se Gjergj Leka e kanë vlerësuar Parashqevinë ndër vite dhe vlerësimi me disa çmime të para i është dhënë në bazë të meritës e performancës dhe jo për bukurinë. Unë nuk jam kompozitore për të përcaktuar se kush ishte këngëtarja apo këngëtari më i mirë, por titujt dhe çmimet nuk besoj se kanë nevojë shumë për koment. Një juri vendoste dhe vlerësonte si performancën, këngën dhe artisten apo artistin që dilte në skenë. Kështu që më mirë se juria nuk mund të vlerësojë askush. As unë dhe as Gjergj Leka nuk mund të dalim mbi vendimin e profesionistëve apo preferencat e publikut, që sa herë që Parashqevia këndonte, e duartrokiste pa fund.”- deklaroi nëna e këngëtares.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: