NGA LEDIONA XHELADINAJ*
SKRAPAR- “Djalin që e rrita me një mijë halle ma vranë barbarisht në Greqi. Kisha dy vjet pa e parë dhe më kishte tretur malli për të. Pas lajmit të kobshëm për humbjen e dritës së syrit, jeta ime është shkatërruar. Më vjen të çmendem kur mendoj se çfarë i bënë kriminelët Bledit tim. I lutem dhe i përgjërohem shtetit që të më sjellë trupin e tim biri, të paktën të ketë një varr ku ta qaj”. Kështu u shpreh dje Adelina Terpollari, nëna e 26-vjeçarit Bledar Terpollari, i cili mëngjesin e së hënës u gjet i masakruar në fshatin Gliki të Igumenicës në Greqi. Që në momentin që kanë mësuar lajmin për vrasjen e djalit, familja Terpollari në fshatin Backë të Skraparit ka hapur dyert e mortit. Në shtëpinë njëkatëshe të prindërve të viktimës, dje, hynin e dilnin njerëz për ngushëllim.

Pjesëtarët e familjes së 26-vjeçarit jetojnë në varfëri të skajshme. Ata shprehen se nuk munden të gjejnë ngushëllim pas gjëmës që u ra mbi kokë.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 55-vjeçarja Adelina Terpollari tha se Bledari ishte larguar nga banesa që kur ishte 18 vjeç dhe kishte emigruar në Greqi. “Me Bledin flisja një herë në muaj në telefon. Më thoshte që punonte si çoban në Greqi, por asnjëherë nuk na kishte ndihmuar, nuk na çonte para”, pohoi nëna e viktimës.

Zonja Adelina, si e mësuat lajmin për vdekjen e djalit tuaj?
Lajmin e kobshëm e mora vesh nga televizori. Nuk doja ta besoja se personi për të cilin flitej ishte im bir. Por, kur dëgjova emrin, ma ndjeu zemra se bëhej fjalë për Bledin tim (qan). Ma vranë dhe ma masakruan djalin që e kam rritur me një mijë halle. E kam rritur me thërrime buke. Zemra ime është përvëluar, pasi më morën dritën e syve. Unë prisja ta takoja djalin, pasi më kishte marrë shumë malli, ndërsa tani po e pres të më vijë në arkivol. Është e tmerrshme kjo që ndodhi! Vetëm një zemër nëne e di gjëmën që më ka rënë përsipër.
Kur e keni takuar për herë të fundit Bledarin?
Kam dy vjet që nuk e kam parë djalin. Më kishte tretur malli që ta shikoja me sy. Por, tani që ia morën jetën, nuk do e shikoj dot më.
Ku ndodhej djali juaj dhe a komunikonit me të në telefon?
Ai ishte larguar në Greqi. Me të flisja një herë në muaj në telefon. Më thoshte që punonte, por asnjëherë nuk na kishte ndihmuar, nuk na çonte para.
Kur flisnit në telefon, ju kishte thënë Bledari për ndonjë problem që ai mund të kishte në vendin fqinj?
Jo. Nuk më ka thënë gjë, përveç faktit se kishte gati 2 muaj që pronari i tij grek nuk e kishte paguar për punën që ai bënte.
Çfarë pune bënte djali juaj në Greqi?
Nuk e di çfarë pune bënte im bir atje. Ai më thoshte se punonte si bari në Greqi. Di që kishte tre muaj që nuk kishte marrë lekët.
Sa fëmijë keni dhe me çfarë të ardhurash jetoni?
Kam 6 fëmijë, Bledi është fëmija i katërt. Ai është larguar nga shtëpia e fshati ku banojmë që në moshën 18 vjeç dhe është rritur në kurbet.
Keni ndonjë dyshim se përse mund ta kenë vrarë djalin tuaj?
Nuk e di pse e torturuan dhe e vranë në mënyrë çnjerëzore. Ata që e kanë bërë krimin janë kriminelë dhe duhet të ndëshkohen nga ligji. Zemra ime është copëtuar nga vrasja e djalit, është bërë thërrime, ndaj Zoti i ndëshkoftë ata gjakpirës!
Cili është apeli juaj?
Tashmë jeta ime është shkatërruar. Më vjen të çmendem kur mendoj se çfarë i bënë kriminelët tim biri. I përgjërohem shtetit të më sjellë trupin e djalit tim. Ne jemi shumë të varfër dhe jetojmë në mjerim, unë ha bukë vetëm një herë në ditë. Kam edhe një djalë të sëmurë në shtëpi dhe nuk kam mundësi t’i blej as ilaçe. Dua që të vijë sa më parë trupi i Bledit, që të paktën të ketë një varr ku ta qaj. Im bir humbi jetën në mënyrë makabre në tokë të huaj, ndaj i lutem shtetit që të mos e lërë trupin e tij në atë tokë të mallkuar (qan).
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: