Me lot në sy, aktivistja dhe juristja Ruko Sako dha një mesazh të fortë në Kuvendin e Shqipërisë për Çamërinë. Ajo kujtoi nga foltorja e Kuvendit shqiptar se në një nga masakrat e shkollës në Çamëri ka qenë dhe nëna e saj.

Teksa kujtoi vuajtjet e çamëve dhe përçarjen që ju bë kufijve të Shqipërisë, ku Evropa heshti dhe vijon edhe sot pas 100 vitesh të heshtë, veprimtarja Sako ju drejtua të gjitha grave çame dhe atyre që rrisin fëmijë çam, që t’iu mësojnë atyre historinë e trishtë të Çamërisë.

“Në masakrën që është bërë në shkollë, aty ka qenë dhe nëna ime. Jam shumë e emocionuar. Është e vështirë të dëgjosh gjëra të tilla, por unë jam rritur me ato. Ndërsa sot dua të ndryshoj pak atmosferë dhe të shoh pak më përpara. Unë kam lindur nga dy prindër fill pas Çlirimit të Shqipërisë, por nëna ime ka qenë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe të gjithë ne fëmijëve nuk na linte asnjë ditë pa treguar për Çamërinë. Prandaj unë do iu drejtohem vajzave dhe mbesave të mia çame. Do u drejtohem zonjave të Çamërisë dhe do u drejtohem atyre zonjave shqiptare të Shqipërisë, që rrisin fëmijë çamë, që të mbajnë shumë afër fëmijët e tyre, t’i njohin me historinë e Çamërisë, t’i mësojnë ata që mos ju vijë turp nga fjala “çam”, ajo nuk është turp, është taban dhe pa taban nuk qëndron trupi në këmbë. I këshilloj ato zonja që kanë misionin e tyre më fisnik në botë, të sjellin në jetë fëmijë e t’i edukojnë ato gjatë gjithë jetës.

T’iu mësojnë atyre fëmijëve se ka shumë eshtra të të parëve tanë që janë në varre masive dhe që ne nuk e dimë ku janë. Do Zoti të jenë brenda Çamërisë. Më 1913 u bë padrejtësi e madhe për Çamërinë, për gjithë Shqipërinë, u shkëputën Çamëria dhe Kosova, u shkëputën pjesë që iu dhanë Maqedonisë dhe Malit të Zi. Këtë padrejtësi e bëri Evropa, e cila vazhdoi të heshtë, sepse spastrimi i çamëve ka filluar nga 1913 dhe vijoi deri më 1944. Nuk mund të harroj babanë tim që thoshte se ne erdhëm në Shqipëri dhe të jemi këtu, se nuk do të heshtë bota, do kthehemi, gjë që nuk u bë. Bota vazhdoi të heshtë. Lejohen nga qeveria shqiptare të ndërtohen varre grekë, që erdhën si pushtues. Përse vallë? Pas 100 vitesh, Evropa jo vetëm heshti për ne, por bëri të njëjtin gabim, që bëri me ne, edhe me Preshevën. Shqiptarët nuk kanë sulmuar askënd, shqiptarët nuk i pushtojnë të tjerët. Përse duhet të sillen me këtë popull kështu? Sa do vazhdojë kjo heshtje? Nuk e di”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb