Teksa opinioni publik ende ‘zien’ ende nga ngjarjet e fundit, siç ishte dhe përdhunimi i 15-vjeçares nga roja i shkollës, në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” ka mbërritur një tjetër histori po aq tronditëse, e cila ka të bëjë po sërish me një fëmijë të seksit mashkull të moshës 10-vjeçare. Është shqetësimi dhe denoncimi i kushëririt nga nëna dhe të xhaxhait të cilët janë duke e kërkuar nipin që prej datës 30 maj të vitit 2020.

Xhaxhai pohon për studion e emisionit “Me zemër të hapur’ se nipi i tij është një fëmijë që vjen nga një martesë e vëllait të tij të ndjerë, i cili para tre vitesh ka ndërruar jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Ai pohon se fëmija është vetëdorzuar në organet e policisë për shkak të dhunës nga e ëma dhe njerku.

“Para tre vitesh ka ndërruar jete vëllai, fëmijët i mbajti vet ajo. Pasi kaluan disa kohe ia mori në Pejë motra ime vajzën e madhe dhe vajzën e vogël për ta ndihmuar paksa. I mbajti shumë kohë por ajo u sëmur dhe vajzën e vogël e solli ndërsa të madhen e mbajti deri sa u martua. Kur ishte vëllai im gjallë jetonin në një barake me qira të vogël, por pas vdekjes se tij shteti i dha shtëpi sociale aty ku jemi edhe ne tani. Jetojmë bashkë në një pallat, por ajo pas vdekjes nuk na pranoi më ne. Edhe sa herë që e takonim ne djalin ai thoshte; ‘të lutem xhaxhi mos i trego mamit që unë erdha këtu të shtëpia jote’. Në datën 28 maj në e pamë për herë të fundit në shkallet e pallatit dhe që nga ai moment nuk e kemi parë kurrë djalin. Djali shkonte shpesh te një shoku tij. Në 1 qershor na thirri psikologia e bashkisë, e të drejtave të fëmijëve. Ajo na pohoi se djali është mirë dhe është dorëzuar në shtet. Por ka pasur edhe gjyshen nga nënën në atë vend, por ajo pohoi që nuk e mbante dot dhe ai u ligështua shumë. Ne duam të mësojmë si është djali. Çfarë mendimi ka djali dhe si do shkoje problemi i tij. Ai ka shtëpi sepse ja ka dhënë shteti. Nëna nuk na ka pyet për asgjë, ajo e cxoi djalin në jetimore. Bashkia na ka pohuar vetëm kaq që djali është në mbrojtje të shtetit por ne nuk jemi të sigurt për asgjë. Si mund te zhduket një fëmije në këtë moshë?! Si ka mundësi që ne si të afërm të tij nuk jemi pyetur fare?! Djali ndoshta ka pasur nevojë për ne, ndoshta me ka kërkuar unë nuk di asgjë. I ndjeri vëllai im nuk do të ma falte kurrë një gjë të tillë. Kërkoj ndihmë nga ju për të zbuluar se ku është djali. Ku e kanë çuar. Ai fëmijë duhet të kthehet në shtëpi, sepse shteti ja ka mundësuar shtëpinë. Ai nuk ishte i pastrehë. Ai është dhunuar sepse e kam parë edhe me shenja nga trupi dhe fytyra. Është dhunuar nga e ëma dhe njerku. Ai sa herë që vinte të mua thoshte; mos i trego mamit se ajo më rreh. Nuk di çtë them më shumë, me dhemb shpirti për nipin tim.”, -tha xhaxhai i 10-vjeçarit.

Ndërkohë, kushëriri i parë nga e ëma tregon se 10-vjeçari ka edhe 3 motra të tjera, dy më të mëdha dhe një më të vogël. Po ashtu ai ka rrëfyer se pas vdekjes së bashkëshortit, gruaja u martua me një burrë që nuk e njeh askush.

“Jam kushëriri i nënës së tij. Kjo familje përbëhet nga katër persona, tre goca dhe një çun. Atëherë goca e madhe është afërsisht 18 vjeçe edhe është e martuar. Goca e dytë është 14, fëmija i tretë është djali 10 vjeç, vajza e vogël është 4 vjeç. Nëna e fëmijëve ka jetuar prej disa vitesh në Tiranë, është martuar në Tropojë, por familja e bashkëshortit ka qenë shumë e varfër. Por pasi erdhën në jetë fëmijët, ai punonte shumë. Kanë jetuar për një kohë të gjatë në një barake, unë kam jetuar për një kohë të gjatë pranë tyre. Jam rritur me ta, i njohë të gjithë vëllezërit e bashkëshortit të saj. Por bashkëshorti i saj vdiq nga një sëmundje e rëndë. Unë kam ardhur me shtëpi në Durrës. Pas ikjes time ai ndërroi jetë. Kur e mora vesh u trondita shumë sepse kanë jetuar në një varfëri të tejskajshme. Kanë jetuar shumë keq, shumë të varfër. Por pas vdekjes së bashkëshortit ajo u martua me një mashkull tjetër, të cilin nuk e njeh askush. Goca e madhe është e martuar, ndërsa fëmijët e tjerë jetonin me këtë. Mirëpo djali 10 vjeç është larguar nga shtëpia dhe nuk dimë asgjë se ku ndodhet, se ku është. Xhaxhai i djalit më ka pohuar se ai herën e fundit e ka parë me shenja dhe ka informacion se njerku dhe nëna e ka dhunuar. Mirëpo ky kur ka shkuar në shtëpi e ka pyet kunatën, ndërsa ajo i ka thënë se ai; ‘është fëmijë i rrugëve dhe konsumon drogë. Me fëmijët e mi di unë çfarë bëjë’. Unë kam parë edhe një faqe ku ishte shpërndarë një informacion për fëmijën, të cilin e shpallnin të humbur.”, tha kushëriri i nënës së 10-vjeçarit.

Pjesë e emisionit “Me zemër të hapur” u bë edhe specialistja e bashkisë për barazi gjinore, e cila theksoi se djali aktualisht ndodhet në jetimore. Sipas saj gjendja emocionale e fëmijës ishte e rënduar, ndërsa nëna dhe gjyshja nuk pranuan që ta merrnin në shtëpi.

“Ngjarja është referuar nga policia nëpërmjet telefonit. Ne i kemi qëndruar afër pasi bashkia nuk ka një qendër për të trajtuar një rast të tillë. Gjendja e tij emocionale e fëmijës ishte e rënduar, kishte frikë nga e ëma. Ai shprehu se donte të shkonte te gjyshja por edhe ajo nuk e pranoi. Nëna ka kërkuar një edukim të mirë ndaj tij, sepse ajo pretendonte që ai nuk kthehej shpejt në shtëpi. Rasti nuk është mbyllur edhe presim çdo moment që të jepet vendimi përfundimtar. Një nga alternativat është që të vij ndonjë nga të afërmit ta marri, por akoma nuk është dikush që të shprehi dëshirën për ta marr. Një verifikim ne e kemi marr nga komisariati, ne nuk kemi kryer një vlerësim të plotë konkret për djalit. Ne kemi insistuar në komisariat por nuk kemi një vlerësim. Ishte një rast emergjent dhe nuk morëm një raport psikologjik të fëmijës, është vlerësuar gjendja momentale për të. Ne po presim të ketë një përgatitje te raportit psikologjik. Ne po punojmë çdo ditë për rastin, si se çfarë shërbimesh po merr.”, tha specialistja e bashkisë për barazi gjinore.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb