Tre vogëlushët Rubini, Endisi dhe Sokoli rrezikojnë të mos flasin më kurrë pasi kanë të tre probleme serioze me dëgjimin. Stafi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 u dorëzoi nënave të fëmijëve tre letra secilës

Çfarë kishte brenda 3 zarfeve?

Në letrën dorëzuar Liljanës, nënës së Sokolit, shkruhej:

“Liljana, ne e dimë që je prekur shumë, ke shpresuar për vite të tëra që Sokoli do të operohet dhe do të dëgjojë. Dimë që shpesh herë i ke humbur shpresat, bashkë me vjehrrën tuaj gjyshen e Sokolit. Nuk keni lënë derë pa trokitur por pa gjetur asnjë zgjidhje. Dimë që do bënit çdo gjë për Sokolin pa hezituar aspak. E dimë që do të hiqnit dorë nga jeta juaj vetëm që Sokoli të dëgjonte dhe të fliste. Vetëm e vetëm që drita e syve tuaj të kishte një jetë normale. Sokoli është rritur, është zgjatur dhe ka fytyrë engjëllore, brenda tij ai ka pak tinguj por ka plotë ngjyra, ai është i lumtur. I rrezatohet në fytyrë, në gjestet e mimikë. Ai është gjithçka për ju, dhe ju jeni gjithçka për të. Sokol ka nevojë për mbështetjen, dashurinë dhe ngrohtësinë tuaj. Ne jemi të bindur se ju ja keni ofruar këtë. Por ka pasur edhe momente kur jeni demoralizuar, ju ka kapluar pesimizmi dhe jeni dorëzuar përpara fatit. Por ne jemi sot këtu për tu thënë që ju mos të dorëzoheni kurrë. Sado errësirë të ketë jeta gjithmonë  do të ketë një dritë në fund të tunelit dhe është vetëm çështje kohe se kur do të arrini tek kjo dritë.

Liljana, ti mungove në festën e abetares së Sokolit, sepse nuk mund të shihje dot teksa fëmijët e tjerë recitonin dhe këndonin, ndërsa djali yt nuk mund të recitonte, nuk e dije nëse do ti përmbaje lotët dhe do ta duroje dhimbjen. Më vonë kuptove se kishe bërë gabim. U pendove sepse e kuptove se atë ditë, ai kishte më shumë se kurrë nevojë për ty. Por ja që nuk e ktheve dot mbrapsht kohën, mos u mërzit, ne jemi këtu për të të thënë se ti nuk do kesh më arsye ti shmangesh festave dhe aktiviteteve të djalit tënd të dashur, sepse shqiptarët kanë vendosur ti thonë PO operacionit të djalit. Paratë e nevojshme për operacionin janë mbledhur. Paratë do të nisen menjëherë drejt spitalit sepse implanti koklear për djalin tuaj ka mbërritur, bashkë me stafin e mjekëve nga Vjena, për t’i dhënë një shansSokolit që të dëgjojë zërin tënd dhe të të thërrasë mami!

https://youtu.be/mFLU8ncWMUI

Liljana thotë: Nuk kam fjalë për “Shqiptarët…” shumë, shumë faleminderit, kam tre vëllezër, por Elvisi Naçi më është bërë vëllai i katërt!

Në letrën dorëzuar prindërve të Rubinit, shkruhej:

“Të dashur prindër të Rubinit, historia plot vuajtje dhe forca për të përballuar të gjitha dhimbjet që i kanë rënë familjes suaj na ka prekur jashtë mase. Humbja e dy fëmijëve të parë është e papërshkrueshme për dy prindër, por ju gjetët forcë që dy prej dhuratave të Krijuesit, fëmijët tuaj të parë, t’ia dorëzonit Zotit, duke qenë ende foshnje. Por kjo dhimbje nuk do të mbaronte këtu. Arditit i duhen ilaçe, plot një milionë lek në muaj. Gjithçka që ju fitoni nga puna i shpenzoni për ilaçet e tij. Të sprovuar nga fati, mes frikës ju sollët në jetë vajzën Klejdën, e cila fatmirësisht nuk ka asnjë problem. Rubini, djaloshi i ëmbël dhe i qeshur, erdhi tek ju si një fëmijë normal. Por edhe këtë herë fati nuk buzëqeshi as atij, dhe as juve. Manushaqe, tek ju pamë nënën heroinë, që nuk dorëzohet e që bën gjithçka, për fëmijët e saj. Nënën e fortë por që zemrën e ka të lënduar, sikur mos të mjaftonte i gjithë kalvari i vuajtjeve që kaluat, sot Rubini nuk dëgjon dhe nuk flet. Nuk i dëgjon dot fjalët e tua të ngrohta. Por ai arrin të ndjejë dashurinë tuaj. Arrin të ndjejë zemrën tënde që rreh veç për të. Ai sot nuk e di dhe nuk e kupton që të gjithë shqiptarët sot janë çuar në këmbë. Kjo letër mban ndoshta, përgjigjën më të rëndësishme. Rubini ishte i pari, por bashkë me të ne morëm përsipër edhe dy bashkëmoshatarët e tij, Sokolin dhe Endisin. Kjo na i ka vështirësuar shumë punën. Shuma e operacionit ishte e madhe për të tre. Por ne nuk mund t’i ndanim. Ndoshta ndonjëherë dukemi edhe të këqinj nga pamundësia për t’i ndihmuar të gjithë dhe për këtë u kërkojmë shumë falje nevojtarëve. Por sot shqiptarët pasi panë lotët e nënave vendosën ti thonë PO operacionit të Rubinit. Ndaj le të nisemi pa humbur kohë drejt spitalit, sepse implanti koklear për djalin tuaj ka mbërritur bashkë me stafin e mjekëve nga Viena, për ti dhënë një shanc Rubinit. Për t’i dhënë atë që nuk e ka pasur kurrë dëgjimin!”

Manushaqja nuk i mban dot lotët. “Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar”, thotë ajo.

Në letrën dorëzuar prindërve të Endisi, shkruhej:

“Sonila dhe Endisi, para 5 viteve ju u larguat nga Korça, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në kryeqytet. Morët një apartament të vogël me qira dhe filluar punë.

Si çift i ri i dashuruar pas njëri tjetrit ju prisnit një fëmijë. Ju u përballët me sprova të mëdha që në lindje të fëmijës, ju u përballet me frikën nëse djali del i gjallë nga operacioni apo jo. Pasi Endisi ishte vetëm një foshnjë, ai u bë gjashtë herë operacion në kokë. Ishit përgatitur për tu përballur me çdo të papritur që fati mund tu rezervonte. Fatmirësisht Endisi ia doli! Ju mësuat se djali juaj nuk dëgjonte e as mund të fliste. Lotët u bënë pjesë e jetës suaj. Kur mësuat për vendosjen e implantit kokelar një shpresë u ndez por nuk mund ta përballonit dot shumën. Shqiptarët u janë përgjigjur lotëve tuaj, jemi këtu për tu thënë se paratë për operacionin janë mbledhur, prandaj le të nisemi menjëherë drejt spitalit sepse implanti koklear për djalin tuaj ka mbërritur bashkë me stafin e mjekëve nga Vjena, për t’i dhënë një shans Endisit.

E ëma e Endisit thotë se është e pabesueshme, Zoti qoftë me shqiptarët, tashmë djali do dëgjoj zërin tonë. Nuk më besohet kjo letër që po lexoj! Kjo letër mban gjithë shpresën tonë. Nuk kemi fjalë. Është me shkronja të mëdha por më duket e pabesueshme ende! Kjo letër është një thesar!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb