Sulmet ruse në Ukrainë nuk janë ndalur , ndonëse delegacioni ukrainas dhe ai rus zhvilluan bisedime për të ulur tensionet mes vendeve .

Ndërkohë ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Segiy Kyslytsya ka publikuar disa mesazhe të një ushtari rus gjatë bisedës që ky i fundit ka zhvilluar me nënën e tij.

Tronditëse është fakti se ky i fundit i thotë nënës së tij se ndodhet në një situatë të vështirë, dhe se u kishin thënë se njerëzit në Ukrainë do t’i mirëprisnin, por duket se ngjarja nuk është siç u kishin treguar.

“Për herë të parë që nga krijimi i OKB-së, ka një luftë të plotë në mes të Europës dhe çdokush në botë e di se Rusia filloi këtë sulm e mbështetur nga Bjellorusia. Kjo luftë nuk u provokua, u urdhërua nga dikush që po qëndron i ulur në bunker. Ne e dimë çfarë ndodhi në Berlin në maj të 1945. Përpara se të vijoj deklaratën time, do të doja të flisja rusisht dhe t’ju lexoja mesazhin e marrë me “screenshot” nga telefoni i një ushtari rus përpara se të vritej”, është shprehur ambasadori ukrainas.

Mesazhet e ushtarit rus me nënën e tij të publikuara nga ambasadori ukrainas.

Nëna: Si je, pse po vonon kaq shumë për t’u përgjigjur. A je akoma në stërvitje?

Ushtari: Nënë, nuk jam më në Krime, nuk jemi në stërvitje.

Nëna: Atëherë ku jeni? Babi po pyet nëse mund të të dërgojmë një pako.

Ushtari: Çfarë pako po thua?

Nëna: Çfarë po thua? Çfarë nuk po shkon si duhet?

Ushtari: Nënë, unë jam në Ukrainë. Këtu ka luftë të vërtetë. Kam frikë, po i godasim të gjithë, madje edhe civilët. Na kishin thënë se njerëzit do të na mirëprisnin këtu, por ata po hidhen poshtë makinave tona, duke mos na lënë të kalojmë. Na quajnë fashistë, Gjithçka këtu është shumë e vështirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb