Nga:ANISA YMERI*TIRANE-Në prag të ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri, shtatorin e 2014-ës, sheshi ‘Nënë Tereza’ ju nënshtrua restaurimit tërësor, çka s’mund të mos cilësohej një ogur i mirë për kryeqytetin e shqiptarëve.

Pak muaj më pas, lajmërime për vende të reja pune, për festat masive në kryeqytet, shkrime me thirrje e mesazhe për të ngritur zërin prej qytetarëve e deri edhe tek lajmërimet e vdekjeve zunë vend në fasadat e këtyre godinave historike, në ansamblin monumental të kryeqytetit.

E pas disa milionave të shpenzuara nga qeveria shqiptare për ta pastruar këtë shesh prej gjithfarë shkrimesh, thirrjesh e mesazhesh elektorale prej partive politike e postera kandidatësh; pas disa milionave për të pastruar mesazhet e dashuri/urrejtjes prej të rinjve; pas milionave të shpenzuara për të pastruar shkarravinat, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve Durrës, janë shtrënguar të ndërhyjnë për të pastruar sërish fasadat e këtij ansambli monumental të Tiranës.

Disa specialistë të monumenteve kanë ndërhyrë për të pastruar fasadën e Universitetit Politeknik por edhe shkallaret në sheshin ‘Nënë Tereza’…e paskëtaj bënë thirrje për të mos shkatërruar në këtë mënyrë monumentet.

Shkarravinat dhe njoftime e ngjitura në fasadat e godinave historike në Sheshin ‘Nënë Tereza’ nuk janë të vetmet monumente që kanë rënë preh këtij fenomeni.

Edhe monumenti i 100-vjetorit të pavarësimit të Shqipërisë që ka zënë vend prej 2012-ës në Parkun Rinia, ka rënë preh e plaçkitjes dhe shkarravinave që kanë mbuluar tanimë edhe emrat e firmëtarëve të pavarësisë.

Është ky një monument që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarëve gati gjysmë milioni euro dhe që tani po degradohet në sy të të gjithëve!

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb