TIRANË

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi deklaroi në News24 në rubrikën “Opinion” se procesi i ndihmës për familjet dhe qytetarët e prekur nga tërmeti nuk përfundon me bonusin e qirasë. Seferi tha se kjo është vetëm një hap i një zinxhiri të tërë. Sa i përket bonusit të qirasë për 554 familje ai deklaroi se që të hënën do jenë në llogaritë e aplikantëve.


“Është një punë e madhe që po finalizohet hap pas hapi. Dje ishte vetëm hapi i parë i bonusit të qirasë sa i përket 554 familjeve. Dhënia e bonusit, është proces zinxhir që nga dita e parë kur ndodhi tërmeti, me verifikimin. Janë 650 pallate dhe 3200 shtëpi. Inspektim do të thotë kalim pranë tyre, verikim në hallkat e para të procesit dhe nga ana tjetër cilat janë banesa që konsiderohen ta pabanueshme kalojnë në hallkën tjetër. Është një proces që vazhdon. Nuk është vetëm bonusi. Jemi dita-ditës pranë tyre”, deklaroi Seferi.


Sipas tij, bonusi do të jepet në bazë të strukturës së familjeve. Ai iu bëri thirrje banorëve të prekur të gjejnë shtëpi me qira sa më shpejt.
“Në bazë të vendimit të këshillit bashkiak dhe ndarë përkatësisht sepse jo çdo familje në bazë të strukturës së saj do marrë të njëjtën sasi lekësh.
Të gjitha njësitë përthithin nevojat që kanë dhe përpunojnë dokumentacionin. Ditën e hënë të 554 aplikantët i kanë lekët në llogarinë e tyre.
Sa i përket pjesës së gjetjes së banesës ndaj dhe unë bëj thirrje, mos të humbin kohë, personat të cilët kanë marrë bonusin apo që e dinë që do marrin bonusin që do miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bahskiak, të shkojnë të gjejnë shtëpinë me qira”, deklaroi nënkryetari i Bashkisë Tiranë.


Sa i përket shqetësimit të depozitave mbi pallate, ai tha se ka nisur puna për largimin e tyre.
“Ka filluar puna për uljen e depozitave pranë kateve të para për të bërë të mundur lehtësimin e peshave. Është një problem në fokus të punës sonë, duke nisur nga pallatet që kanë shfaqur rrezikshmëri. Një gjendje emergjente që kërkon shumë fronte ka prioritet jeta dhe procese të tjera. Ka filluar çmontimi i depozitave, në qoftë se qytetarët sensibilizohen dhe e bëjnë dhe vetë aq më mirë por nga punonjësit e bashkisë ka nisur puna”, u shpreh Seferi, raporton “BalkanWeb”.

Ai apeloi që personat që janë të interesuar të shkojnë tek njësia administrative ku është gjithë stafi në gatishmëri dhe të mbarojnë punë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb