NGA DARINA TANUSHI

TIRANE-
Përplasja mes dy forcave aleate në koalicionin qeveritar, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duket se është ndezur edhe në nivelin e forumeve rinore. Një ditë, pas një statusi që Sekretarja për Rininë në PS, Elisa Spiropali shkroi në “Facebook”, duke u shprehur me ironi ndaj shprehjes së Ilir Metës për “konsensus patriotik”, reagoi nënkryetari i LRI-së, Klevi Pojana.

Duke e rrëfyer si një histori me gjyshen, Pojana shkroi po në rrjetin social, “Facebook”: “Gjyshja më mori e gëzuar në telefon, më tha se ishte kënaqur që një vajzë e re kishte folur sot për patriotizmin! Ishte ndjerë e vlerësuar, por nga vitet ndër supe, dëgjimi i është dobësuar dhe më tha t’i thosha se kush ishte! I thash se ishte Elisa, ajo bëri çmos që dhe anglezet e ardhur në dogana t’i shqiptarizonte dhe ja doli!”.

“Nënës i kishte mbetur si halë, një deklaratë e Elisës për çantën ‘LV’ që gjoja e kishte marrë te gabi dhe duke qenë se atje se kishte parë asnjëherë i hipën nervat, i kishte vënë vizën si gënjeshtare! Thuaj asaj pispiruqes, se patriotizmin mua s’ma vodhi as italiani e as gjermani, na u bë kjo të tallet me ne dhe ma mbylli telefonin! Si thash dot që Elisa s’është më drejtoreshë, e ka lënë gjyshe, dha dorëheqjen për arsye ‘patriotike’, s’ka ç’të të vjedhë më tani! Rri e qetë!. Gjyshërit si gënjen dot, patriotizmin e kanë faktuar me gjak!”, – shkroi në statusin e tij, nënkryetari i LRI-së.

PARALAJMËRIMI
Por, i menjëhershëm, ishte një tjetër reagim i Elisa Spiropalit, e cila e nxitur nga të rinjtë e FRESSH-it shkroi dje: “Për t’u dhënë një shembull të rinjve sesi të shkëputen përfundimisht nga politika e baltës, si dhe për të testuar sistemin e ri të drejtësisë, të propozoj e dashur Elisa, të kallëzosh penalisht për shpifje Klevi Pojanën, nënkryetarin e LRI. Të lutem mos thuaj po, ç’të merresh me një çapaçul që shpif si ta kishte pjellë barku i Berishës, por bëje këtë edhe për të gjithë ne të tjerët’, më shkruante një vajzë e shkëlqyer e FRESSH-it, nxënëse në gjimnazin ‘Ismail Qemali’. Në fakt s’do e kisha sjellë në vëmendje këtë mesazh nëse do ishte e vetmja.

Janë disa që e paskan lexuar e janë shqetësuar nga ky djali në fjalë dhe më ankoheshin. U bëra kurioze dhe e lexova edhe vetë. S’ia vlen fare, një Fahri Balli i vockël në tentativë me një mllef më të sinqertë se Farua po me një fjalor më të varfër se Sala. Kohë e humbur vajza e djem të FRESSHit, prandaj më shumë higjienë në përzgjedhjen e leximeve nga rrjetet sociale. Ka kohë për kallëzime penale. Reforma në drejtësi sapo ka nisur”, – ishte kjo përgjigja e Spiropalit, për aleatin e saj të LRI-së.

REAGIMI
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Pojanës, që zgjodhi sërish rrjetin social për të replikuar. “Me të gjitha ato që kam mësuar në Fakultetin e Drejtësisë, të drejtën për studim në të cilin e fitova bindshëm, falë zotësive të mia, pa përkrahjen e asnjë miku aq më tepër të ndonjë fondacioni, jam i gatshëm të shkoj para çdo trupi gjykues. Në Tiranë, Fier apo dhe Strasburg vetëm në Hagë jo! Atje kam frikë, mora vesh që kishin shpallur Millosheviçin të pafajshëm dhe s’jam i sigurtë në ja dal dot dhe unë si ai. Jam i bindur që dhe ti je kaq disponibël para çdo trupe gjykuese”, – shkruan ndër të tjera nënkryetari i LRI-së. Një ditë më parë, Spiropali shkruante në FB.

“Nëse do ekzistonte konsensusi patriotik atëherë nuk do ekzistonin patriotët! Patriotët çajnë male për të kaluar trenin e historisë dhe nuk bëhen mullar së bashku nga frika se i ha bajlozi i matanë oqeanit. Më falni, po unë kam shumë respekt për patriotët dhe e kam të pamundur t’i shoh Samiun e Abdylin, Ismail Qemalin apo Fan Nolin, si paraardhës të konsensusit të prodhuar nga trysnia ekstreme e superfuqive aleate, që shkoi deri në paralajmërimin publik të SHBA për futjen në listën e zezë të Presidentit Obama të atyre që sot na tregojnë patriotizmin konsensual! Amerikanët thonë në këto raste: Give me a break! Shqiptarçe thuhet ndryshe, por s’kam konsensusin e partisë për të folur për këtë punë, kështu që po e lë me kaq”, -shkruan në rrjetin social Sekretarja për Rininë në PS, Elisa Spiropali.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: