Lehtësohen procedurat për kompletimin e dosjes elektronike shëndetësore të çdo pacienti që përfiton barnat e rimbursueshme. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Rudina Degjoni.

Në një intervistë dhënë për ATSH, Degjoni ka bërë me dije se ka nisur procesi i digjitalizimit të shëndetësisë me aplikimin eVizita, ndërkohë që receta e rimbursuar përveç mjekut të familjes, tashmë nënshkruhet elektronikisht edhe nga farmacistët. Nga data 3 nëntor, 67 farmaci në Durrës dhe Krujë dhe së shpejti 800 farmaci në të gjithë vendin, nuk do të nevojitet të printojnë rreth 400,000 receta në muaj që rimbursohen për qytetarët.“Dixhitalizimi i shëndetësisë ka të bëjë me nënshkrimin e recetës me rimbursim për të gjithë ata pacientë kronik dhe akut të cilët e përfitojnë rimbursimin falas nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, ka thënë Degjoni.

“Për sa i përket nënshkrimit elektronik ne nisëm para dy ditësh pilotimin e recetës me nënshkrimin e elektronik për herë të parë në qytetin e Durrësit ku u përfshin rreth 60 farmaci të cilat tashmë lëshojnë recetën me rimbursim nëpërmjet nënshkrimit elektronik”. Ky shërbim i ri parashikon mbi të gjitha përfitimin e qytetarëve, rrugëtimi i të cilëve tanimë në sistemin shëndetësor është shumë më i lehtë. “Nga ana tjetër rritet besueshmëria e qytetarëve ndaj mjekut të familjes dhe ndaj farmacistit. Për herë të parë ne vendosim në sistemin shëndetësor edhe figurën e vetë farmacistit. Lehtësojmë pra punën e mjekut të familjes, lehtësojmë punën për farmacistin po nga ana tjetër vendosim dhe njëherë në qendër të sistemit shëndetësor pacientin”.

Procesi i nënshkrimit elektronik ka nisur në Durrës, ku është përmbyllur komplet cikli i mbylljes së nënshkrimit elektronik për të gjitha farmacitë e kontraktuar me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore që janë rreth 60 farmaci. “Ndërkohë ne kemi nisur planin e veprimit përsa i përket trajnimit të farmacistëve për nënshkrimin elektronik në qytetin e Elbasanit dhe do vijojmë shtrirjen e këtij projekti në të gjitha qytetet e Shqipërisë”, u shpreh Degjoni.

Gjithashtu një tjetër projekt është dhe e-Vizita, një pikë takimi i parë që pacienti ka me mjekun e familjes. “Kjo do të thotë që plotësimi me dorë ei formularit të vizitës nuk do të zëvendësohet me plotësimin elektronikisht të saj. Gjithashtu do të ketë dhe një ndërveprim me sistemet e tjera elektronike të cilat tashmë janë në funksion siç është e-Referimi, regjistri elektronik i banorëve, e-Planifikim dhe e-Vizita, që e kompleton gjithë këtë dosje elektronike të pacientëve. Gjithashtu lehtëson punën e mjekut për të njohur klinikisht pacientin e tij nëpërmjet të gjitha të dhënave elektronike që gjenden në sistem”.

Me e-Vizitën FSDKSH ka futur dhe disa elementë të rinj siç është realizmi i check-up. Për herë të parë mjeku do ketë dijeni mbi gjendjen dhe historikun shëndetësor të pacientit, rezultatet e Kontrollit Mjekësor Bazë etj. Nga ana tjetër shkurtojmë dhe kohën e pritjes së pacientit përsa i përket vizitës me mjekun. Kjo plotëson historikun shëndetësor në një formë të dixhitalizuar apo kartelës elektronike të pacientëve”, theksoi Degjoni.

 Sfida e radhës është krijimi dhe implementi i sistemit e-Depo i cili do të ndihmojë dhe kontribuojë akoma dhe më tepër në menaxhimin e barnave të rimbursueshëm në kohë reale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb