TIRANË

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi tha se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar marrëveshja mes BE-së dhe qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Horizon Union”, për kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Sipas kësaj marrëveshjeje, qeveria shqiptarë do duhet të paguajë një tarifë vjetore, teksa objektivi është përthithja e sa më shumë fondeve në raport me kontributin.

“Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam gjithashtu edhe marrëveshjen mes BE-së dhe qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Unionit, ‘Horizon Union’, programi kuadër për kërkimin shkencor dhe inovacionin. Duke qenë se kërkimi shkencor dhe inovacioni janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm BE synon që të krijojë një zonë të përbashkët, një treg të vetëm për kërkimin shkencor dhe inovacionin duke nxitur dhe promovuar bashkëpunimin midis universiteteve apo institucioneve të kërkimit shkencor.

Duke nxitur shkëmbimet mes tyre, duke nxitur lëvizshmërinë e studiuesve, por mbi të gjitha duke promovuar respektimin e lirisë akademike dhe lirisë së kërkimit shkencor. Marrëveshja që miratuam parashikon të gjitha kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë Shqipëria për të marrë pjesë në këtë program. Konkretisht Ministria e Arsimit dhe Sportit paguan një tarifë vjetore, një kontribut financiar në mënyrë që të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë, apo institucionet e kërkimit shkencor të kenë mundësi të marrin pjesë, të konkurrojnë me projekte të përbashkëta me institucione nga BE. Sfida jonë është që ne të mund të përthithim nga ky program sa më shumë fonde në raport me kontributin financiar që paguajmë. Konkurrenca është e lartë. Ne si ministri do të ofrojmë të gjithë asistencën e nevojshme për Universitetet me ekspertë vendas apo të huaj për të rritur kapacitet e institucioneve tona në hartimin e projekteve. Unë jam optimiste sepse universitetet janë duke bërë një progres të konsiderueshëm në kuadër të ndërkombëtarëzimit të tyre me bashkëpunime me universitetet më të mira evropiane apo botërore”, tha ministrja Kushi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb