Shqipëria dhe Rusia kanë vendosur që të rrisin bashkëpunimin kulturor. Në kuadër të Forumit të V-të Kulturor Ndërkombëtar të Shën Petërburgut, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e cila kryeson delegacionin shqiptar në këtë Forum, bashkë me homologun e saj rus, Vladimir Medinski, kanë nënshkruar Programin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet ministrive të kulturës së dy vendeve për periudhën 2017-2019.

Gjatë qëndrimit të saj në Shën Petërburg, ku delegacioni shqiptar po merr pjesë në Forumin e V-të Kulturor Ndërkombëtar, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Universitetin Shtetëror të Shën Petërburgut, ku pati një takim me Zv.Rektorin për Marrëdhëniet me Jashtë, Sergej Andrjushin, si dhe me përfaqësues të tjerë të këtij institucioni.

Bashkëbiseduesit evidentuan hapësira të mëdha për bashkëpunim dhe diskutuan mbi hapa konkretë për të vendosur kontakte të qëndrueshme komunikimi midis Universitetit dhe institucioneve të Shqipërisë.

Gjithashtu, në një nga sallat më të bukura të Universitetit Ministrja mbajti një leksion me temë “Komunikimi përmes kulturës si faktor bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kohezioni social” për studentët dhe pedagogët e atjeshëm, kryesisht ata të degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në përfundim të leksionit albanologët e rinj patën mundësi të praktikonin shqipen e tyre, duke komunikuar nga afër me Kumbaro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: