Aktori dhe regjisori Edmond Budina ka marrë fjalën në podiumin e manifestimit të Presidentit ku ka thënë se 30 vite pas rrëzimti të diktaturës ai vetë rikthehet për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, një ëndërr që e kishte që në protestën e 30 viteve më parë. Ai shprehet se nuk ka ardhur si mik i Presidentit Meta por i vihet në krah për Kushtetutën.

Budina thotë se neodiktatura që po përpiqet që të instalohet dhe të përdhosë Kushtetutën nuk ka për të fituar dhe se ai i vihet në krah Metës për të mbrojtur Kushtetutën.

FJALA E EDMOND BUDINËS
Përshëndetje të gjithëve,
30 vite më parë ne kishim një ëndërr, ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Mbas 30 vitesh kthehem këtu për ta bërë sërish Shqipërinë si Europa, për ta shpëtuar nga kjo diktaturë e re. Që po përdhos vendin.
Kthehemi për të lufutar korrupsionit dhe mafien, i vihem në krah Metës për të mbrojtur Kushtetutën.
Nuk kam ardhur si mik i tij, as si përfaqësues i partive politike por për të mbrojtur demokracinë, lirinë e vendit tonë.
Ne nuk duhet ta lejojmë që vendi jonë të zbrazet. Kam qenë emigrant dhe e di çdo të thotë të të vdesin prindërit dhe mos kesh t’i shikosh, të mos kesh të hash dhe të vuash, dhe të shohësh në parlament njerëz që pasurohen ndërkohë pensionistët s’kanë para të marrin ilaçe. Jemi këtu t’i themi neodiktaturës që nuk ka për të fituar.
Sado që tenton të vendosë sulltanatin e vetë, nuk do ia dalë kurrë të zbrazë Shqipërinë. 30 vite më parë kishim ëndërr ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Ne do e bëjmë të gjithë bashkë duke shporrur këtë oktapodh që nuk ka asgjë socialiste, për të mbrojtur institucionet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb