Promovohet sot (e diel) në mbrëmje libri “Neoshqiptarizmi”, me autor Arian Galdini, kryetar i partisë “Lëvizja e re”.
“Sot është një ditë e shenjtë për mua.
Sot, më 2 mars, në ditën e Besëlidhjes së Lezhës, do të ngremë një tjetër Besëlidhje, atë të mendimit, të shpirtit dhe të vizionit për një Rinisje Kombëtare.
Sot, në këtë mbrëmje të veçantë, “Neoshqiptarizmi” vjen në jetë si një thirrje për të mos qenë thjesht pasardhës të historisë, por krijues të së ardhmes.
Siç Skënderbeu dikur bashkoi princat shqiptarë për një qëllim më të madh se vetja e tyre, ashtu edhe sot ky libër është një ftesë për t’u bashkuar në ideal, në mendim, në një përpjekje të re për shqiptarizmin e lartë dhe dinjitoz.
Nuk është vetëm një libër.
Është një dëshirë e madhe për të parë Shqipërinë siç e ëndërruan Sami Frashëri, Fishta, Konica, Noli, Ukshin Hoti dhe gjithë mendjet që nuk pranuan kurrë që ky komb të mbetej i vogël në vizion.
Siç thoshte Aleksandër Moisiu, “Shqipëria nuk është një fjalë, është një ndjenjë.”
Dhe këtë ndjenjë e kemi detyrim ta kthejmë në forcë, në veprim, në një rrugëtim të ri për të gjithë”, thotë autori Arian Galdini.
(BalkanWeb)