Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Çdo nëpunës civil do t’i nënshtrohet testimit për vlerësimin e njohurive, ndërkohë që në bazë të rezultateve që do arrijë, do të jetë i detyruar të ndjekë trajnimet për njohuri të reja”. Gjithçka përcaktohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili gjithashtu saktëson se pas periudhës së trajnimit parashikohet një testim i dytë, që nëse nuk kalohet me sukses do i kushtojë nëpunësit civil vendin e punës.

Sipas VKM-së, çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nënshtrohet, periodikisht, testimit paraprak dhe, kur është e nevojshme, procedurës së trajnimit, çdo 4 vjet. Ndërkaq, testimi do të shtrihet në vite të ndryshme, për punonjës të ndryshëm, ndërkohë që lista përkatëse do të hartohet nga Departamenti i Administratës Publike brenda muajit prill të çdo viti. Të përjashtuar nga testimi do të jenë vetëm: nëpu-nësit civilë në periudhë prove, nëpunësit civilë të cilët janë të pezulluar dhe nëpunësit civilë të cilët janë me leje lindjeje.

Testimi paraprak dhe vlerësimi
Sipas vendimit, nëpunësit civilë do i nënshtrohen procedurës së testimit paraprak, i cili do të përfshijë të gjitha ndryshimet dhe të rejat që i përkasin fushës përkatëse, sipas kategorisë apo grupimit që i përkasin. Ata do të njoftohen nga njësia e burimeve njerëzore të institucionit ku ata janë të punësuar, të paktën, një muaj përpara datës së përcaktuar për zhvillimin e testimit.

Ndërkohë që, nëpërmjet publikimit në faqen e internetit të ASPA-s, do t’u vihet në dispozicion fusha e njohurive, mbi bazën e së cilës do të zhvillohet testimi, dhe materialet ose referencat përkatëse, të paktën, 20 ditë përpara zhvillimit të testimit. Sa i takon vlerësimit, ai ndahet në testimin me shkrim, i cili ka 70 pikë, dhe intervistën me gojë, e cila ka 30 pikë. Ndërkohë që, brenda 2 ditëve nga përfundimi i procedurës së vlerësimit do të duhet të shpallen rezultatet, sipas kësaj skeme: 90 – 100 pikë, “shumë mirë”; 70 – 89 pikë, “mirë”; 51 – 69 pikë, “kënaqshëm” dhe 0 – 50 pikë, “jokënaqshëm”.

Nëpunësit që janë vlerësuar “shumë mirë”, konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës që kanë dhe rekomandohen për ngritje në detyrë, në rast se aplikojnë në një procedurë të tillë konkurrimi. Nëpunësit që janë vlerësuar “mirë” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar dhe nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen procedurës së trajnimit. Ndërsa, nëpunësit që janë vlerësuar “kënaqshëm” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar, me kushtin që të ndjekin programe trajnimi të vazhdueshme, të cilat synojnë plotësimin e dobësive që kanë shfaqur gjatë kësaj procedure, por në përfundim të këtyre trajnimeve nëpunësit nuk u nënshtrohen testimeve të reja.

‘Ngelësit’
Vetëm nëpunësit që janë vlerësuar “jokënaqshëm” do të konsiderohen si jo të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar. Ata janë të detyruar të ndjekin trajnimin pranë ASPA-s për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, për një periudhë vlerësimi 3-mujore, nga eprori direkt, si dhe procedurës së trajnimit për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, pranë ASPA-s.

Në përfundim të kësaj procedure, nëpunësi duhet të jetë vlerësuar, të paktën me “kënaqshëm”. Këtyre nëpunësve civilë do t’u vihen në dispozicion programi i trajnimit dhe materialet përkatëse, një javë përpara fillimit të tij, ndërkohë që trajnimet do të jenë me pagesë. Pjesëmarrja e tyre në trajnim është e detyrues-hme, në masën 75 për qind. Mosrespektimi i kësaj dispozite sjell skualifikimin nga trajnimi dhe në këtë rast, nëpunësi civil është i detyruar të ndjekë nga fillimi trajnimin përkatës, ndërkohë që me përfundimin e trajnimit, ai do t’i nënshtrohet testimit nga komisioni i vlerësimit.

Sistemi i vlerësimit do të jetë i njëjtë me atë të testimit paraprak, çka do të thotë se nëpunësit që janë vlerësuar “shumë mirë” dhe “mirë” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës që kanë. Nëpunësit që janë vlerësuar “kënaqshëm” do konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar, me kushtin që të ndjekin programe trajnimi të tjera, të cilat synojnë plotësimin e dobësive që kanë shfaqur gjatë kësaj procedure, ndërkohë që ata nëpunës civilë që do e ‘paguajnë’ me vendin e punës janë ata që do të vlerësohen “jokëna-qshëm”.

Sipas vendimit të qeverisë, në përfundim të procedurave të mësipërme, bazuar në rezultatet e testimit të realizuar nga KV-ja dhe në rezultatet e vlerësimit 3-mujor, eprori direkt vendos përshtatshmërinë ose jopërshtatshmërinë e nëpunësit civil në pozicionin e punës. Në rast se nëpunësi vlerësohet jo i përshtatshëm, atëherë njësia e burimeve njerëzore deklaron përfundimin e marrëdhënieve në Shërbimin Civil.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb