TIRANE- Politikani i njohur Neritan Ceka ka komentuar jetën parlamentare në Shqipëri. Në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, Ceka ka folur në lidhje me Parlamentin e vitit 1991, pas përmbysjes së diktaturës, dhe në ditët e sotme.

Ai tha se mes parlamentit të vitit 1991 dhe atij në ditët e sotme ka shumë ndryshim. “Parlamenti i sotëm është vetëm një hije e atij të vitit 1991”, u shpreh Ceka.

“Parlamentarët e ’91 mund të kenë qenë kryetar kooperativash, por ishin me shkollë, ndërsa sot Parlamenti është vetëm hija e tij”, u shpreh Ceka.

Sa i takon parlamentarizmit në ditët e sotme, Ceka tha se përfaqësimi i grave në politikë nuk është ai që duhet. Sakaq, ai përmendi deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, si një shembull i gruas në politikë.

“Unë do them një model që duhet ndjekur, dhe kjo është znj.Tabaku. Pavarësisht se është në PD, nuk e kam për këtë, por është një model, dhe do të thoja se në vend që të vinte Berisha në krye të PD, pse s’merrni Tabakun? Ajo nuk është një politikane e re. Është e bukur, simpatike, a ku di unë, por nuk është e re në politikë. Ka përvojë. Nuk dua t’i them PD-së ja ku e keni lideren, por dua të them kategoria e demokratëve që mund të promovohen. Ka të tjerë që janë zhdukur nga skena”, tha Ceka.

Ai ka shprehur kritika mbi paraqitjen e deputeteve në Parlament ditët e sotme.

“Ka gra të mrekullueshme, gra luftarake. Më pëlqen edhe agresiviteti, edhe kur hedh ndonjë çizme. Është një akt civil në Parlament, që të bësh një gjë e cila është ndryshe, që t’i thuash kundërshtarit se këtu nuk ka vetëm burra, por ka edhe gra. Nuk paragjykoj, por e kam fjalën për gjuhën, e cila është e egër në debatet parlamentare. Kam parë edhe debate mes grash dhe jam zhgënjyer nga egërsia, nga mungesa e feminilitetit në Parlament. Ka edhe gra e vajza të tjera që nuk i ka ardhur ende koha për të qenë deputete, siç ka gra e vajza shumë të mira që nuk i ka ardhur ende koha për të qenë ministre, e për të drejtuar një vend që ka ndoshta probleme më të mëdha se Franca dhe SHBA”, u shpreh Ceka.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb