TIRANE- Politikani i njohur Neritan Ceka, ish-anëtar i Partisë Demokratike, ka një mesazh për demokratët në mënyrë që të fitojnë zgjedhjet e ardhshme. Duke folur për mundësitë e ringritjes së PD-së, në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Ceka tha se në vend që të ketë një rikthim të Berishës në krye të PD-së, ashtu siç është përfolur së fundmi, do të ishte me e drejtë që në krye të kësaj force politike të zgjidhej deputetja Jorida Tabaku.

Ai tha se Tabaku është një deputete shembull në Parlamentin e Shqipërisë.

“Unë do kujtoj vitin 1991 kur ishim në qeverinë e stabilitetit. Sa fillonte grindja në politike shqiptarët i drejtoheshin portit. Tani kanë rrugë të tjera. Unë mendoj se një pjesë e largimeve vjen nga mungesa e shpresës. Përplasjet që nuk duhet të ndodhin më, gjuha ë egër që vazhdon, dhe për fat të keq është shumëfishuar edhe nga gratë që kanë hyrë në Parlament. Unë kam pritur gjithmonë që gratë shqiptare të vinin në Parlament me gjuhë tjetër. Mund të bëj përjashtime të rralla. Por ka një agresivitet ulkonjash”.


Keni emra konkretë?
“Unë do them një model që duhet ndjekur, dhe kjo është znj.Tabaku. Pavarësisht se është në PD, nuk e kam për këtë, por është një model, dhe do të thoja se në vend që të vinte Berisha në krye të PD, pse s’merrni Tabakun? Ajo nuk është një politikane e re. Është e bukur, simpatike, a ku di unë, por nuk është e re në politikë. Ka përvojë. Nuk dua t’i them PD-së ja ku e keni lideren, por dua të them kategoria e demokratëve që mund të promovohen. Ka të tjerë që janë zhdukur nga skena. Bogdani për shembull. Në këtë sens e them. Që mos të thonë ky është fans i Tabakut, unë atë nuk e njoh. Tani është koha e një lideri i cili simbolizon shqiptarin që do të rrijë në Shqipëri, që do paqe, do qetësi, do familjen, familjar. Ky është modeli, nuk duam më heronj. Jemi 25 vite, dhe nëse nuk janë ngopur me heronj, do të meritojnë këtë fat që të lënë Shqipërinë”.

Po kritikat për gjininë femërore, për kë i kishit?
“Ka gra të mrekullueshme, gra luftarake. Më pëlqen edhe agresiviteti, edhe kur hedh ndonjë çizme. Është një akt civil në Parlament, që të bësh një gjë e cila është ndryshe, që t’i thuash kundërshtarit se këtu nuk ka vetëm burra, por ka edhe gra. Nuk paragjykoj, por e kam fjalën për gjuhën, e cila është e egër në debatet parlamentare. Kam parë edhe debate mes grash dhe jam zhgënjyer nga egërsia, nga mungesa e feminilitetit në Parlament. Ka edhe gra e vajza të tjera që nuk i ka ardhur ende koha për të qenë deputete, siç ka gra e vajza shumë të mira që nuk i ka ardhur ende koha për të qenë ministre, e për të drejtuar një vend që ka ndoshta probleme më të mëdha se Franca dhe SHBA”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb