TIRANË- Kreu i PAD Neritan Ceka, ka marrë pjesë sot në homazhet në nderim të Sokol Barajt, ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit në kohën kur vetë Ceka ishte ministër i Brendshëm, në vitet ’97-’98.

Në prononcimin e dhënë për mediat, Ceka ka vlerësuar lart figurën e Barajt, por nuk ka munguar një kritikë për pushtetarët, që sipas tij e kujtuan Barajn vetëm kur vdiq.
Ceka tha se Baraj ka kontribuuar në çlirimin e Kosovës dhe këtë do ta tregojë historia.

“Një strateg i vendosjes së rendit në vitin e vështirë 1997, në mënyrë elegante, në mënyrë paqësore. Jo vetëm që vendosi rendin në një kohë të shkurtër por edhe krijoi bazat e policisë moderne shqiptare. Historia do tregojë se ishte edhe një nga njerëzit që ka kontribuuar për çlirimin e Kosovës. Shpesh përmendet që policia shqiptare u fut në Lazarat 2 vjet më parë, unë po them që Sokol Bare me repartin e shquar 88 u fut në Lazarat në vitin 1998 dhe përzuri që andej bandat dhe rivendosi aktivitetin shoqëror dhe ekonomik. Unë them edhe këtë që pushteti nuk i dha meritat që duhet t’i jepte. Nderet që po i bëhen sot duhet t’i kujtojnë shoqërisë shqiptare se njeriu nuk duhet të nderohet vetëm kur vdes”, deklaroi Ceka.

Sokol Baraj u nda dje nga jeta në moshën 53-vjeçare nga një atak kardiak. Ai kishte një të kaluar shumë aktive në Policinë e Shtetit dhe në poste të tjera të rëndësishme për sigurinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb