Organizata Botërore e Shëndetësisë ka organizuar një video-konferencë private me UEFA-n dhe përfaqësuesit e klubeve europaine për të diskutuar për të ardhmen e kalendarit futbollistik teksa pandemia e koronavirusit është në shpërthim. Për agjencinë që varet direkt nga Kombeve të Bashkuara, shkruan e përjavshmja braziliane “Veja” në sajtin e saj në internet, – skenari ideal është ndërprerja e veprimtarive deri në fund të vitit 2021.

Kjo mund të ngjajë e çuditshme, teksa aktualisht po diskutohet për protokolle dhe një rikthim të shpejtë në fushë, vjen kjo kërkesë për një pezullim prej një viti e gjysmë. “Placar”, revistë sportive në Brazil, tregon se kjo mbledhje është zhvilluar më 16 prill dhe se OBSH është shumë e vendosur në kërkesën e saj.

Dy mediat amerikano-jugore shkruajnë se konferenca, që ishte parashikuar të zgjaste një orë, ka shkuar deri në 2 orë e gjysmë dhe me tone të ndezura. Masat drastike janë sugjeruar nga dy epidemiologë të OBSH-së, duke u bazuar në një studim lidhur me rreziqet që mund të sjellë një tjetër valë infektimesh vitin e ardhshëm.

Ekspertët kanë ilustruar skenarët e mundshëm dhe kanë sugjeruar që zgjidhja më e mirë do të ishte që veprimtaritë të qëndronin të ndalura deri në vitin e ardhshëm. Gjithsesi duhet theksuar se OBSH-ja nuk ka asnjë autoritet në kalendarët sportivë dhe UEFA nuk është e detyruar të zbatojë sugjerimet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb