TIRANË

Me kravatë lejla, kostum të zi, me mjekrën e thinjur që vazhdon të rritet. Kështu u shfaq kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për mediat, pas vendimit të BE për të mos çelur negociatat për Shqipërinë që kërkon t’i bashkohet unionit.

Ndonëse tha se ishte 48 orë pa gjumë, kreu i qeverisë dukej i qetë dhe i ftohtë para mediave ku foli për arsyet e vendimit negativ të BE dhe madje dhe mundësive që ka përpara vendi ynë. E shumëkujt i ka rënë në sy mjekra e kryeministrit që i është bashkuar trendit. Por me sa duket mjekra i ka hyrë sot në punë për t’iu përgjigjur pyetjes se kur do të jetë Shqipëria pjesë e BE-së.

“Në kohën kur unë kam dalë në rrugë për të kërkuar Shqipërinë si gjithë Europa, i kisha të gjitha flokët. Kam përshtypjen që nëse do ia lëmë mjekrës që ta dëshmojë mund të bëhet më e gjatë se sa flokët e tua, përpara se sa të plotësojmë dëshirën”, i tha Rama gazetares së re.

Gjithsesi ai shprehu bindjen se të rinjtë do të votojnë në të ardhmen për Parlamentin Europian. “Përtej kësaj ky është një rrugëtim dhe Shqipëria sot është shumë më shumë europiane se sa ishte kur ke lindur ti. Shumë gjëra kanë ndryshuar, shumë gjëra do të ndryshojnë. Mos harroni që trashëgimia jonë është shumë e rëndë. Ne nuk jemi as Polonia, as Hungaria, as Çekia. Kemi pasur dy ndërprerje të mëdha, njëra mbi 500 vjet, tjetra 50 e kusur vjet. Kështu që kjo është e treta e vërteta, por ka të gjitha mundimet e veta por do ia bëjmë hyzmetet. Një gjë është e sigurt ti do votosh për Parlamentin Europian në Shqipëri pa diskutim, se kur do bëjmë çmos të jetë në një kohë të arsyeshme, por kjo është sigurt. Gjithë brezi juaj, s’po fus veten time, do votojë dhe do lodhet duke votuar PE. Natyrisht me prezumimin që do ketë Parlament Europian se mbase gjërat do ndryshojnë në një formë që… këtë se di unë, me siguri këtë e di Nard Ndoka. Por kur të bëni konferencën e shtypit me opozitën e bashkuar kërkojani parashikimin se si do jetë BE në të ardhmen”, deklaroi kryeministri.

I pyetur nëse “Minishengeni ballkanik” është një lloj kundërpërgjigje për BE-në, Rama tha se bëhet fjalë për një pjesë të rrugës europiane.
“Ajo që mund të them me siguri është se këtu nuk bëhet fjalë për kundërpërgjigje. Nuk kemi kujt t’i kundërpërgjigjemi. Marrëveshjen e e 4 lirive, vazhdoni e quani ‘Minishengeni’, por nuk më pëlqen ky emër dhe mbase mund ta quajmë Bashkimi Europian i Juglindjes se na kanë vënë këtë, Ballkani Perëndimor dhe kur iu thua Ballkani Perëndimor atyre iu kujtohen vetëm imazhe por nuk është kundërpërgjigje. Nuk është as alternativë e rrugës europiane, është pjesë e saj. Kemi alternativën tonë. Në rajonin tonë kemi shumë potenciale që duhet t’i çlirojmë.
Nuk është një vendim kundër Shqipërisë. Është një vendim që nuk përputhet me interesin tonë sot, por ata janë më të mëdhenj, ne jemi më të vegjlit. Nuk ka vend për kundërpërgjigje. Europa është shpirti i këtij kombi. Nuk ndahen këto të dyja. nuk janë ndarë asnjëherë në mishërimin e këtij kombi”, u shpreh Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: