TIRANË

Analisti Fatos Lubonja mendon se nëse drejtësia në Shqipëri do funksiononte nuk do kishte nevojë për protesta fare sepse krimet duken sheshit.

Lubonja tha në “Opinion” në News24 se kontrolli i drejtësisë, një pjese të mediave dhe kontrolli i gjithë pushteteve i jep Edi Ramës një lloj qetësie.

“Mendoj se shkaqet pse është i qetë, ose nëse është aq i qetë kryeministri sa ç’duket janë disa. Një prej tyre është mbështetja që ka gëzuar gjer tani të paktën, ndonëse e pashë që tani hodhi një akuzë për ambasadoren amerikane, por mbështetja e fortë që ka pasur nga jashtë, duke e konsideruar veten si lojtar i rëndësishëm, i pazëvendësueshëm në Shqipëri nga ndërkombëtarët kjo i jep një lloj qetësie, sigurie. I jep fakti se ka nën kontroll gjithçka, drejtësinë. Nëse drejtësia do funksiononte nuk ka nevojë për protesta fare se krimet e tyre duken sheshit. Boll të shikosh pallatet, inceneratorët, pallatet pa leje që ngrihen aty dhe ky i amniston për t’i dhënë fund kësaj lloj qeverisjeje. Drejtësia që ka kapur, një pjesë e mirë e mediave që i ka të kapura dhe me të cilat manipulon publikun etj. Kontrolli i gjithë pushteteve sigurisht që i jep qetësi, aq më tepër dhe krimi i organizuar që e ka me vete, që pastron paratë dhe ai është një garanci, domethënë kontrolli i gjithë pushteteve”, deklaroi Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb