Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shemsi Prençi, i ftuar në emisionin “Në Shënjestër” në News24 me gazetaren Klodiana Lala, ka komentuar në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinaj.

Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në momentin e prezantimit të drejtorit të ri Muhamet Rrumbullaku, Prençi tha se për sa kohë që Rama nuk kërkoi gjetjen e autorëve në rast të vrasjes dhe sjelljen e tyre para drejtësisë, po flet si pjesë e një grupi kundërshtar me atë të Martinaj.

“Numëruar në ditë kalendarike nesër janë plot 100 ditë që kur Rama prezantoi drejtorin e ri të policisë. Dimë gjithçka mbi rekrutimet në polici, normat e shkeljet që janë bërë në procedurë, dhe suportin që politika i ka bërë disa oficerëve, duke kapërdirë edhe gjëra të pamundura për ti ofruar poste.

Do ta lidh me dy ngjarje vendimtare në polici, thënien e artë të kryeministrin “Kokën hëngshnin”, sloganin “Policia që duam që fshehu rekrutime të një organizate në shërbim të organizatave kriminale”.

Rama i drejtohet Rrumbullakut: Tashmë duhet të marrë fund enigma e personit në kërkim. Ju keni dy aksioma, nëse është i vrarë duhet ta gjeni, nëse është i gjallë ta kapni e ta çoni para drejtësisë.

Tek versioni i parë nuk thotë duhet të gjeni fajtorin. Kryeministri flet sikur të jetë palë e një grupi kundërshtar të Ervis Martinaj.

Martinaj deri para 10 vitesh nuk ishte personazh i botës së krimit. U kriminalizua pas ardhjes në pushtet të PS kur një pjesë e botës së krimit u turrën për ti marrë aksionet me ndihmën e partisë, madje edhe nga familjarë të pushtetit.

Dëshiroj Ervis Martinaj të jetë gjallë që tu tregojë sa u kushton policia. Drejtor Policia kam qenë edhe unë por numrin tim nuk e kanë pasur pjesëtarë të botës së krimit”, ka deklaruar ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: