Gazetarja Klodiana Lala tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se nëse gjendet trupi i pajetë i Jan Prengës, të gjithë personat e përfshirë në këtë krim makabër rrezikojnë burgim të përjetshëm.

Duke publikuar pamjet, që tregojnë momentin kur autorët nxjerrin trupin e pajetë të Prengës nga resorti luksoz “Golden” dhe e fusin në një furgon “Range Rover”, për ta çuar më pas në një vend ku nuk dihet ende, gazetarja Lala zbardhi dhe detaje nga dosja voluminoze e kësaj ngjarjeje të bujshme.

Ajo tha se pengmarrja e 49-vjeçarit është urdhëruar nga Dritan Rexhepi, një emër shumë i njohur i botës së krimit, që po vuan dënimin për drogë në një burg të Ekuadorit, i cili iu kishte dhënë fjalën familjarëve të Prengës se do e kthente të gjallë këtë të fundit, nëse vëllai i tij i kthente kokainë.

“Rezulton një kohë jo shumë e gjatë nga momenti kur furgoni i bardhë del nga resorti dhe momenti kur kthehet prapë. Nga të gjitha verifikimet e bëra në zonë, ka vetëm një rrugëdalje dhe duhet të kthehen mbrapsht për të arritur sërish në resort. Ka dyshime të forta që është groposur në atë zonë, por është e vështirë, sepse mjafton të kenë hapur një gropë, ta kenë mbuluar me disa shkurre, dhe policia nuk ka qen. Në rrethinat e Shijakut ka grupe që vijojnë e vijojnë kërkimet. Prokuroria e Tiranës e ka kaluar dosjen voluminoze në SPAK. Aty pritet të vijojnë hetimet. Thuhet se Dritan Rexhepi i kishte dhënë fjalën familjes që do ta kthente pengun, por më pas ai dëgjohet duke thënë se ata i kishin dalë nga fjala dhe pengu ka ndërruar jetë.

Pamjet filmike kanë fokusuar targat, lëvizjet konkrete, në një moment personat shfaqen pa maskë, i kanë hedhur në tokë bashkë me rrobat, për t’i djegur. Pra, kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal, për të zhdukur gjurmët e tyre. Është një dosje e vështirë, por dhe një hetim i bërë mirë deri më tani. Duhet një dorë e fortë, sa i përket prokurorisë, për të çuar pas hekurave autorët e këtij krimi, që i përkasin botës së krimit. Nëse gjendet trupi i Prengës, të gjithë personat e përfshirë rrezikojnë automatikisht burgim të përjetshëm”, tha gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb