Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, Arton Demhasaj ka thënë rasti i fajdeve ku është përmendur Kadri Veseli duhet të sqarohet sa më parë për shkak të pozitave që ka ky i fundit.

Demhasaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë me publikimin e videove të fundit për fajde tregohet se politika dhe gjyqësia bashkëjetojnë me krimin. “Në një ngjarje të tillë ku sheh të gjitha këto video që ekzistojnë nga viti 2012 e deri tani dhe nuk është marrë asnjë masë ku pjesët e këtyre aktakuzave janë parashtruar tashmë për shkak të kalimit të kohës, përgjegjësia e parë bie mbi sistemin prokurorial dhe prokurorin që ka pasur në dorë këtë rast dhe nuk ka marrë masat e nevojshme”.

“Pra fillimisht duhet të merren masat ndaj prokurorëve të rastit sepse ata janë bërë pjesë e aferës pavarësisht kanë dashur apo jo. Por ende mbeten si dyshime derisa të vërtetohen. Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, ka thënë se përfshirja e zyrtarit austriak në një skandal korrupsioni i kushtoi me dorëheqje. “Dallimi i Veselit me atë rast ka të bëj me atë se zyrtari austriak shihet në video, ndërsa zoti Veseli vetëm përmendet si emër dhe nuk është pjesë e videos. Momentalisht ne nuk mundemi t’i gjuajmë fajësinë Veselit për faktin se i është përmendur emri sepse aty kanë mundur të përmenden emra të ndryshëm”.

“…Në 20 vitet e fundit njerëzit në Kosovë kanë përdorur emrin dhe autoritetin e dikujt që ka pasur fuqi dhe ndikim për të arritur qëllimet e tyre dhe për të rritur bizneset e tyre”.

Demhasaj ka thënë se kjo çështje duhet të sqarohet sa më shpejt për faktin se zoti Veseli është kryetar i Partisë që është në pushtet dhe kryetar i Kuvendit. “Rasti duhet të sqarohet sa më shpejt dhe nëse vërtetohet vetëm me një argument se ai ka qenë pjesë sadopak e kësaj afere ai duhet të jap dorëheqje nga kryetari i Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, thotë se dyshimet për korrupsion gjithmonë kanë ekzistuar por nuk ka pasur fakte e prova. “Si është e mundur që pasuria e politikanëve kap vlerat milionëshe. Pjesa më e madhe e deputetëve të Kosovës, ministrave e ish-ministrave, të gjithëve atyre që kanë qenë pjesë e qeverive, pasuria e tyre peshon në vlera milionëshe”, tha ndër të tjera Arton Demhasaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb