Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, zbuloi në emisionin “Real Story”, në News24, arsyet pse LSI nuk u nda nga PS në mes të mandatit qeverisës, por e përmbylli mandatin 4-vjeçar.

Sipas ish-ministres Gjosha, nëse një përçarje e tillë mes dy partive ndodhte në mes të mandatit, do të kishte destabilizim total të vendit.

E pyetur nga zv.kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi, se pse LSI nuk ka një program të sajin, por është fokusuar vetëm tek Edi Rama, Gjosha theksoi se programi është dhe do të artikulohet në vijim.

Lumezi: Po e vë veten te një votues i pavendosur, që do të votojë më 25 dhe nuk di kë të zgjedhë për të parë një dritë në fund të tunelit. Pse nuk duhet të ik unë jashtë shtetit dhe të votoj LSI, kur Kryemadhi thotë se Edi Rama ka dështuar në këto 7 vite, kur në fakt 4 vite ka qenë dhe vetë në pushtet me të? E gjithë beteja juaj politike është ‘Edi Rama ky, Edi Rama ai’. Ju program nuk keni, më lini ta gjykoj vetë Edi Ramën.

Gjosha: Program ka. Do të artikulohet. Rama ka një lloj crakordimi me veten dhe ata që qeveris sot. Po të kishim Gjykatë Kushtetuese nuk do të linim mandatet, nuk do kalonin shumë ligje antikushtetuese, nuk do të ndodhnin shumë gjëra. Edhe ne jemi një parti që kemi një gabim, që e kemi bërë në vitin 2013. Të sjellësh Edi Ramën në pushtet dhe ta lësh të qëndrojë 8 vite, për mua është gabim i madh. Ne edhe mund të dilnim nga koalicioni, por ne mendonim se duke qëndruar aty, duke qenë një zë balancues, duke kërkuar llogari për shumë çështje dhe vendime që nuk merreshin në mënyrë të drejtë për qytetarët shqiptarë, ishte një vendim i drejtë. Ne nuk mund të krijonim një destabilizim total të vendit, sepse përçarja në mes të mandatit do ta krijonte këtë. Patjetër që duheshin ruajtur balancat. Por, qytetarët e kanë memorien për të kujtuar momentet kur LSI ka qenë kritike, edhe pse ishte pjesë e qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb