Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit në interpelancën me ministren e Financave se mënyra e taksimit në vend është jo e drejtë.

Ai shtoi i indinjuar se nëse nuk do ishin paratë e pista ekonomia shqiptare do falimentonte.

Deputeti i PD iu drejtua mazhorancës duke i thënë se nuk po taksojnë ata që sjellin paratë e kokainës dhe që ndërtojnë kulla në mes të Tiranës, pasi paraja e tyre qarkullon jashtë sistemit.

“Bizneset e vogla po paguajnë taksë varrezash, arsimore, trualli, etj. Janë shumë taksa dhe ju thoni ka zero taksa. Edhe për profesionet e lira, një pjesë e diskriminuat. Unë mendoj se mënyra e taksimit është jo e drejtë. Këtu turp është ta them, por të mos jenë paratë e pista këtu kjo ekonomi ka falimentuar. Ju nuk taksoni ata që sjellin paratë e kokainës dhe që ndërtojnë kulla në mes të Tiranës e kanë dhjetëra dyqane këtu. Paraja e tyre qarkullon jashtë sistemit.

Ju kapni bizneset e ndershme. Në projektligjin e Tabakut, nga 10 kompani, 6 prej tyre i kanë jo të dyshimta, por pa diskutim me burime të paligjshme. Nga 10 do përfundojnë në 9 sepse një do ketë mundësi. A ka logjikë të ndërtosh kullë qindra miliona euro të mos marrësh kredi. Aty shkoni merrini paratë ju, mos i merrni te avokatët e kontabilistët. Merrni paratë e pista dhe ato të oligarkëve. Pse jemi në listën gri të MoneyVal? Paratë e pista janë këtu dhe do jenë deri sa ju të ndërroni mendje”. tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb