Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se emisari i BE për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për të diskutuar elemente të rrugës përpara siç është theksuar në deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell të dhënë në emër të 27 shteteve anëtare.
Në një reagim për Gazetën Express ai u shpreh se diskutimet kanë qenë tepër të vështira, sidomos në Prishtinë.
“Vizitat e fundit ka konfirmuar se palët vazhdojnë të kenë qëndrime thelbësisht të kundërta në shumë çështje”, ka thënë Peter Stano.
Ai vijoi se bisedimet do të vazhdojnë në ditët e ardhshme me qëllim drejt arritjes së një marrëveshje, derisa ka konfirmuar se Miroslav Lajçak e ka informuar tashmë Borellin, i cili është duke u konsultuar me shtetet anëtare.
Stano më tej tha se BE u bën thirrje palëve që të jenë konstruktive dhe të gatshme për kompromis. Zëdhënësi i BE-së ka thënë se Brukseli ka nevojë të shih hapa pozitivë sidomos nga Kosova për të çtensionuar veriun në mënyrë të shpejtë.
“BE-ja iu bën thirrje të dy palëve që të jenë konstruktive dhe të gatshme për kompromise. Ne kemi nevojë të shohim hapa pozitivë, sidomos nga Prishtina, për të ulur me shpejtësi tensionet në terren në veri të Kosovës”, ka thënë Stano.
Ai thotë se nëse palët do të dështojnë të veprojnë, BE është e gatshme që të ndërmarrë masa të cilat do të kenë ndikim në raportet me Bashkimin Evropian.
“Nëse palët dështojnë të veprojnë, BE-ja është e gatshme të marrë masa të vendosura që do të ndikojnë në marrëdhëniet tona”, ka përfunduar Peter Stano.