Agustin Kola është i bindur se për Tiranën është viti i duhur. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi, trajneri dhe drejtuesi i bardhebluve foli për derbin e sotëm. Analizoi dy ekipet si dhe dha një përgjigje për ish-trajnerin e Partizanit, Neptun Bajko për ndeshjen e 22 shtatorit 1985, që përfundoi 7-3 për bardheblutë.

Partizani-Tirana luhet sot në mbrëmje. Si i sheh dy ekipet dhe këtë ndeshje Agustin Kola?

Derbi është derbi. Kur kanë qenë mirë ata, kemi fituar ne, kur kemi qenë mirë ne, kanë fituar ata. Tiranën, nga ana e saj, e shoh shumë të fortë.

Është e rrezikshme kjo eufori e Tiranës në prag të kësaj sfide me të kuqtë?

Tiranën e shoh si një skuadër shumë të mobilizuar. Edhe në lojë është shumë lart dhe e organizuar shumë mirë. Ka një Sefer që nëse vjet ishte më i dobëti, sepse vinte nga një pauzë e gjatë, tani është në superformë dhe më i miri. Shoh me kënaqësi edhe këta djemtë e rinj: xXhixhën, Totren, Limajn. Janë një grup shumë i mirë dhe këtë e treguan edhe me lojërat e tyre. Po të krahasosh të dyja ekipet me lojtarë dhe organikë, Tirana është më mirë. Ama derbit nuk i dihet. Është ana psikologjike ajo që bën diferencën në fushë. Është ndeshje që luhet me mendje. Kam shumë dëshirë që të fitojë Tirana.

Para pak orësh, Neptun Bajko tha se rezultati 7-3 ka qenë shumë i dhimbshëm për të, paçka se Partizani ka luajtur mirë. Keni një koment?

Kanë luajtur mirë ata thotë?

Po tekstualisht…

Kanë ngrënë shtatë gola dhe kanë luajtur mirë… Për këtë rast kam disa fjali, madje edhe për Neptunin. Na thoshin ekipi i punëtorëve. Ne vumë orarin: punë 7 me 3. Kaq. Unë jam bardheblu dhe dua ta fitojë Tirana titullin. Nëse nuk e fiton Tirana, dëshiroj ta marrë titullin Partizani dhe më pas Dinamo. Shihni Italinë. Janë Juventusi, Interi e Milani. Partizani ka qenë më mirë vjet sesa sivjet. Në fund kam një dëshirë për tifozët. Ta marrin me sportivitet dhe të mos bëjnë rrëmujë. Futbolli luhet në fushë dhe jo jashtë fushe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb