Kreu i PD, Sali Berisha, deklaroi se negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të ishin hapur, nëse Partia Demokratike do të kishte fituar zgjedhjet në vitin 2013.

Në emisionin “Opinion”, Berisha u shpreh me bindje të plotë se procesi i anëtarësimit do të kishte nisur, pasi sipas tij, ai do të kishte plotësuar kushtet dhe kriteret.

“Nuk jam në gjendje të parashikoj cila do ishte ecuria, nëse Shqipëria nuk do kishte pësuar krizën e 1997-ës. Kurse që të gjitha tjerat, kanë dëshmuar se në qeverisjen e PD procesi ka ecur në mënyrë të pandalshme. Ju garantoj se ka ecur vetëm e vetëm me një përpjekje më serioze për kriteret, ekonomi tregu funksionale dhe demokraci tregu funksionale. Nëse PD do kishte fituar zgjedhjet e 2013, me bindje absolute negociatat do të ishin të hapura. Kjo sepse për atë që ndjek atë proces, ai proces bazohet vetëm në kritere. Mohimi i kritereve nuk ishte gjë e thjeshtë, por Edi Rama e futi vendin në një spirale pa krye, ku çdo vit shtoheshin kushte dhe kritere. Merr Reformën në Drejtësi, që u shndërrua në faktor kryesor të pengesës.

Për Italinë, Francën, Holandën e vende të tjera nuk mund të imagjinohej që të afrohej një vend pa Gjykatë Kushtetuese. Reformat kanë një kusht, je i detyruar të parashikosh pasojat e tyre, në të kundërt ti bën pseudoreforma. Dhe unë ju them se ja kam thënë 30 herë Edi Ramës, dhe Donald Lu, dhe vëllait tim. Nëse një deputet sot kalon nga një parti në një tjetër, nuk ka Kushtetutë në botë që e ndalon. Nuk është bërë kurrë për t’iu ndryshuar mendjen këshilltarëve që e ndryshuan mendjen.

Më 2013, kur kam dorëzuar pushtetin, mazhoranca ime ka pasur 48% të pushtetit të vendit. Në 2005 ka pasur 37%. Ka pasur një ndarje pushteti. Sot, ka arritur në 98-99%. Një kryeministër nuk duhet të vendosë kurrë që të mbajë me cdo kusht pushtetin. Sigurisht që unë më 2013 e lashë pushtetin. Më 2009, Edi Rama për të mos u futur në zgjedhje, solli këtu Dam Glover, që ishte non grata, dhe e vuri si kusht që nëse unë nuk e pranoja, do të bojkotonte zgjedhjet. Unë e pranova, se nuk kisha cfarë të bëja.

Çfarë bëra? Bëra një vendim, ku përjashtoja shtetin nga fushata dhe Dam Glover, që ishte kundërshtare e imja, vëzhgoi më shumë se cdo gjë tjetër atë vendim dhe përfundoi që kryeministri e zbatoi me rigorozitet atë vendim. Nuk më ka shkuar mendja për asnjë moment kurrë që të qëndroj asnjë ditë në pushtet pa respektuar votën e qytetarëve. Nëse kryeministri përdor shtetin për fushatë elektorale, fushatë nuk ka. Nëse Sali Berisha do ishte në pushtet, negociatat do të ishin të hapura prej kohësh, për faktin e vetëm se unë do të zbatoja kushtet dhe kriteret”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb