TIRANË

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka folur sot për gazetarin e News24 Osman Stafa për deklaratat e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias për çështjen çame, i cili ka thënë se nëse përmendni Çamërinë s’ka integrim në BE.

Në kuadër të Javës çame që përkujton gjenocidin mbi çamët, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur sot dyert për të kujtuar këtë gjenocid.

I pyetur për deklaratat e Dendias, Idrizi e cilësoi gjuhë arrogante që duhet të na shqetësojë. Ai tha se Dendias dhe Kyriakos Mitsotakis duhet të mos harrojnë deklaratën e babait të kryeministrit aktual Mitsotakis, i cili e ka pranuar çështjen çame në takime me ish-kryeministrin Aleksandër Meksi.

“Në qoftë se ka dikë që nuk e befason kjo gjë, jemi pikërisht ne. Sigurisht që më bën përshtypje si deklarim sepse i shkon ministrit të jashtëm të një vendi që ka një ligj lufte me Shqipërinë, por nuk i shkon një ministri të jashtëm i cili duhet të kuptojë që duhet të ketë raporte të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë apo atë që na përmendin sa herë që duan që ka dhe një traktat miqësie me Shqipërinë. Është një gjuhë arrogante, duhet të na shqetësojë të gjithëve, jo thjesht edhe ne. Sigurisht që mund të ketë një farë të drejte sepse herë-herë politika shqiptare e merr dhe e lë çështjen çame në bazë të një axhende. Në qoftë se kjo çështje nuk ka vazhdimësi dhe unë nuk kuptoj pse politika shqiptare nuk ka kontinuitet në kërkimin e drejtësisë për shqiptarët e Çamërisë, sigurisht që ai mundohet ta artikulojë në këtë mënyrë.
Kush pjesë e çështjes çame nuk ekziston, nuk ekziston komuniteti çam? Ja ku i keni brenda në këtë sallë, nuk po përmend numrat. Nuk ekziston gjenocidi? Janë me mijëra të vrarë, familjarët tanë, prapë do t’i dëgjoni këtu nga rrëfenjat nga dëshmitarët okularë? Nuk ekziston çështja e të drejtave të njeriut? Të gjithë e dinë se akoma pleqtë shqiptarë të Çamërisë kur duan të shkojnë të shohin dhe njëherë shtëpitë e tyre, i ndalojnë në kufi. Të gjitha këto pjesë që përbëjnë çështjen e shqiptarëve të Çamërisë janë aty, janë në këmbë dhe unë nuk e di se kush pjesë nuk ekziston. Më duhet t’i kujtoj ministrit të Jashtëm të Greqisë së sotme, por dhe kryeministrit të sotëm, as më shumë e as më pak, por babain e kryeministrit të sotëm Mitsotakisin e parë, i cili në takimet me z. Meksi e ka pranuar ekzistencën e çështjes çame, madje kanë pranuar që të ngrenë dhe komisionet mikse duke filluar nga ngritja e varrezave për partizanët çamë të rënë në Greqi. Të paktën, të paktën të vdekurit t’i trajtojmë njësoj. Ne jemi të detyruar të vazhdojmë betejën tonë për drejtësi. Të gjithë ata që thonë heshtni, ne nuk heshtim dot për familjarët tanë, por bëjnë mirë të mos heshtin ata”, tha Idrizi.

Në lidhje me javën çame, Idrizi tha se siç është bërë e zakonshme në kuadër të 27 qershorit, dita e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë dhe spastrimin etnik ne zhvillojmë javën çame dhe sigurisht besoj që është në nderin dhe të aulës së parlamentit të Shqipërisë që ne të bëjmë një seancë përkujtimore dhe ta hapim javën çame këtu.

“27 qershori është ditë e njohur nga parlamenti i Shqipërisë si dita e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë. Ka dhe një rezolutë për këtë gjë. Parlamenti i Shqipërisë ka zhvilluar aktivitete të tilla rëndomë, edhe për hebrenjtë dhe sa herë për çështjes të tilla të ngjashme. Kjo është në vazhdën e tyre. Ka qenë një kërkesë e 3 deputetëve të PDIU. Është rasti që njerëzit të shohin dhe kujtojnë përmasat, por sigurisht dhe shumë rrëfenja nga dëshmitarë okularë. E nisim javën çame pikërisht këtu sot”, u shpreh Idrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb