Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi deklaroi se drejtësia në vend nuk mund të vihet dhe ruhet vetëm nga një institucion, siç është SPAK, por duke bashkëpunuar dhe me prokuroritë e tjera. Gjatë fjalës së tij në takimin me institucionet e drejtësisë, ai tha se pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i Prokurorisë Speciale nuk do të kishte efekt të fortë.
“Në këtë klimë pritshmërish, rëndohet edhe barra mbi SPAK-un dhe gjykatat e posaçme. Ato kanë fituar respektin e publikut dhe qytetarët i shohin si shpresën konkrete të reformës. Por ky respekt nuk është garanci e përhershme: ai duhet fituar çdo ditë, me hetime të paanshme, gjykime të shpejta dhe vendime të argumentuara. Në këtë sfond, edhe prokuroria e zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Ajo është porta e parë e drejtësisë për qytetarët dhe aty matet çdo ditë besimi real tek shteti i së drejtës. Pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i SPAK-ut nuk mund të ketë efekt të plotë. Në këtë mënyrë, vetëm duke pranuar dobësitë tona, ne mund të bëhemi më të fortë. Të gjitha këto tregojnë se drejtësia nuk ndërtohet nga një institucion i vetëm. Vetëm nëse Gjykata e Lartë, Këshillat, ILD, SPAK, Gjykatat e posaçme dhe Shkolla e Magjistraturës ecin së bashku, reforma bëhet realitet. Nëse secili sheh vetëm detyrën e vet të ngushtë, reforma mbetet letër.”, shtoi Sadushi.
Mes të tjerash Sadushi theksoi se kapitujt e integrimit nuk mund të mbyllen vetëm me fjalime politike, pasi duhen rezultate të matshme në sundimin e ligjit.
“Brenda kësaj tabloje, vendimet gjyqësore që fitojnë besimin e qytetarëve janë prova e padiskutueshme se reforma po funksionon. Ky nuk është kusht i vendosur nga Brukseli, është kërkesë e qytetarëve tanë, është detyrimi ynë për ta përmbushur.”, nënvizoi ai.
