Nga: BLEDAR ÇUÇI *
Nëse sheh diçka, thuaj diçka”- kështu titullohet fushata mbarëkombëtare që Departamenti për Sigurinë Kombëtarenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmori për të angazhuar qytetarët në mbrojtjen e komuniteteve dhe të vendit të tyre nga terrorizmi dhe dhuna ekstreme, duke i ftuar ata të denoncojnë çdo situatë që u duket e dyshimtë apo që duket se po çon në dhunë ekstreme. Kjo fushatë ishte një ndër nismat e ngjashme që më erdhi ndër mend ndërsa lexoja komentet e disa intelektualëve publikë dhe qytetarëve të tjerë që e konsiderojnë të paefektshëm portalin stopkorrupsionit. al, të cilin qeveria ka vënë në dispozicion të qytetarëve që prej disa ditësh.
Ky portal është një mundësi që institucionet publike u ofrojnë atyre qytetarëve që kërkojnë sundimin e ligjit në Shqipëri, që të kontribuojnë për ta parandaluar dhe luftuar korrupsionin në shoqërinë tonë. Ndaj, së pari, dëshiroj të falenderoj rreth 1600 qytetarë që në vetëm një javë i janë drejtuar këtij portali dhe kanë denoncuar raste të korrupsionit, dyshime për korrupsion, apo në disa raste, edhe shkelje të tjera të ligjit apo të standarteve profesionale nga disa drejtues apo punonjës të institucioneve publike.
Ç’ka ndodhur ndërkohë me portalin?
Përmbledhtas, të mbi 1600 denoncimet që qytetarët kanë paraqitur deri tani përmes portalit, përfshijnë: (a) 85% denoncime për raste konkrete të korrupsionit ose dyshime për korrupsion apo, denoncime lidhur me shkelje të tjera të ligjit ose të standarteve profesionale nga punonjësit publikë; dhe (b) 15% shënime të padeshifrueshme apo pa kuptim.
Ç’ka bërë qeveria me të dhënat nga portali?
Deri dje (10 shkurt), institucionet e qeverisjes qendrore dhe ato të varësisë, për të cilat janë bërë denoncime përmes portalit, kanë filluar të bëjnë verifikimin e denoncimeve në terren dhe në disa raste, kanë marrë edhe masat përkatëse. Po jap vetëm dy shembuj, të cilët mund t’i gjeni të reflektuar edhe në portalin stopkorrupsionit.al nën emrin e sektorit përkatës:
– Një qytetar denoncoi drejtorin e shkollës “Gustav Majer” në Tiranë se, në kundërshtim me rregullin, kish caktuar zëvendësdrejtoren si sekretare të Bordit të Shkollës, si dhe i detyronte mësuesit që kundrejt pagesës, të trajnohen në IRISOFT. Drejtoria e Arsimit të rrethit Tiranë (DART) inspektoi shkollën dhe nga ky inspektim rezultoi se denoncimi ishte i bazuar. DART filloi procedurën për shkarkimin e drejtorit të kësaj shkolle.
– Një grup mësuesish denoncuan drejtueset e shkollës “Dhora Leka” në Tiranë për keqmenaxhim dhe komunikim joetik në shkollë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, shkoi në shkollën “Dhora Leka” në orën 9:30 AM ditën pas denoncimit dhe konstatoi se, të dyja drejtueset nuk ishin në detyrë, shkolla ishte në kushte të rënda higjienike, orët mësimore kishin dalë jashtë funksionit dhe një mësues, ai i historisë, ishte krejt i papërgatitur për të dhënë mësim. Po ashtu, një nga mësuesit (pjesë e grupit të mësuesve që denoncuan në portal) rezultoi se i detyronte nxënësit të vishnin bluza të përdorura gjatë fushatës elektorale të PD-së e tashmë edhe me imazhin e vetë mësuesit, në shkelje të plotë të Kodit të Etikës për shkollat. Si rezultat, DART vendosi shkarkimin e dy drejtuesve të shkollës, largimin nga puna të mësuesit që bënte propagandë me imazhin e PD-së dhe të tij, ndërprerjen e kontratës dhe shënim për mësuesin provizor të historisë, si dhe largimin nga puna të dy punonjësve të shërbimit. DART mori nën administrim shkollën, në 5 shkurt ndërmori aksion për pastrimin e saj, si dhe filloi verifikimin e orarit mësimor e të përgatitjes ditore të mësuesve, duke caktuar dy inspektorë për ta ndjekur këtë proces deri në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të shkollës.
Raste të tilla tashmë janë bërë me dhjetëra e unë nuk do të zgjatem këtu, por dëshiroj të bashkëbisedoj pak me skeptikët për vlerën e këtij portali e të sqaroj disa aspekte që lidhen me rolin e këtij mjeti në kuadër të nismave të qeverisë për t’i mbyllur shtigjet korrupsionit e për ta ndëshkuar atë. Dëshiroj të bashkëbisedoj jo thjesht si dikush që në këtë moment ka nderin të shërbejë si punonjës publik, por më shumë si qytetar i këtij vendi dje, sot dhe nesër, edhe kur s’ka qenë e s’do të jetë punonjës publik.
Më mirë një hap përpara apo të rrimë në vend?
Portali është vetëm një ndër mjetet në luftën kundër korrupsionit, një mjet që në mënyrë të drejtpërdrejtë angazhon ata qytetarë që dëshirojnë sundimin e ligjit në Shqipëri, që të kontribuojnë për t’i vënë një emër çdo rasti kur një drejtues institucioni apo një punonjës publik ndërmerr një akt korruptiv. Qeveria ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë një kompleks reformash, të cilat i ngushtojnë hapësirat korrupsionit, e parandalojnë dhe e ndëshkojnë atë. Po jap vetëm tri shembuj që u takojnë muajve të fundit:
– Pak javë më parë, Parlamenti miratoi disa ndryshime në ligjin e prokurimeve publike, të cilat përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejt në mirëmenaxhimin e fondeve publike dhe ngushtimin e hapësirave për korrupsion në administratën publike.
– Qeveria, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë dhe sipas modeleve më të mira të aplikuara me sukses në vende të tjera, ka ndërmarrë reformën gjithëpërfshirëse të shërbimeve publike që do të mundësojë marrjen nga qytetarët të të gjitha këtyre shërbimeve në një sportel unik. Kjo reformë do të ngushtojë në mënyrë drastike mundësitë për korrupsion, duke e reduktuar kontaktin mes qytetarit dhe punonjësve publikë të sektorëve të ndryshëm vetëm në një kontakt në sportelin unik.
– Qeveria, me përkrahjen e Bankës Botërore, po teston një mjet tjetër që u jep mundësinë qytetarëve të denoncojnë me SMS raste të korrupsionit apo të shkeljes së standarteve ligjore dhe profesionale në institucione publike që ofrojnë shërbime të rëndësishme për qytetarët, si institucionet e shërbimit shëndetësor, ato arsimore dhe hipoteka.
Roma nuk u ndërtua
në një ditë
Lufta kundër korrupsionit është një nga betejat afatgjata dhe të vështira të sistemit demokratik në rrugën e tij drejt përsosjes. Nuk është një betejë, të cilën një shoqëri e lufton apo e humbet veç një herë. Është një përpjekje e vazhdueshme për të ngushtuar mundësitë për korrupsion, për ta parandaluar korrupsionin dhe për të ndëshkuar ata punonjës publikë dhe qytetarë që angazhohen në akte korruptive. Vende me demokraci të konsoliduara kanë ndërtuar për dekada – duke provuar, arritur sukses, dështuar dhe mësuar nga dështimet – një sistem ligjesh, programesh, mjetesh dhe praktikash për ta parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Këtë model, këtë rrugë po ndjekim edhe ne, duke filluar që nga klasifikimi i krimit të korrupsionit si krim “i rëndë” kur kryhet nga zyrtarë të lartë, te ligji “Për mbrojtjen e informatorëve për rastet e korrupsionit” i cili pritet të miratohet së shpejti, e deri te portali stopkorrupsionit.al, i cili po jep rezultatet e para. Sot ndëshkohen tre drejtues e tre mësues që shkelin ligjin e standardet profesionale: këto janë dy shkolla që nesër e tutje do të ofrojnë kushte më të mira dhe cilësi më të mirë mësimdhënieje për fëmijët, por këto masa, por edhe ky portal, i shërbejnë edhe parandalimit të shkeljeve të tilla në të ardhmen, sepse dërgojnë një mesazh të qartë te të gjithë punonjësit e sistemit arsimor, në këtë rast, se shkelje të tilla nuk do të tolerohen dhe se prindërit, nxënësit, mësuesit dhe qytetarët kanë tashmë një mjet në duart e tyre për të denoncuar korrupsionin dhe shkeljen e ligjit në shkolla. Më mirë t’ia mbyllim shtigjet e ta ndëshkojmë korrupsionin dhe shkeljen e ligjit në çdo rast apo të rrimë duar kryq e të presim se mos na bien nga qielli të gjithë mësuesit e drejtuesit e shkollave më të mirë, më të ndershëm e më të përkushtuar të globit?
I kujt është shteti? Kush janë këta të korruptuarit?
Vij këtu te një çështje tjetër shumë të rëndësishme: ajo e përgjegjësisë kolektive dhe individuale për ta luftuar korrupsionin. Shpesh, duke përfshirë edhe rastin e skepticizmit që disa njerëz shprehën për portalin stopkorrupsionit.al, debati dhe ‘inati’ ndaj ‘atyre të korruptuarve’ konfigurohet sipas ndarjes ‘punonjës publikë të korruptuar’ përballë ‘qytetarëve të pambrojtur që vuajnë nga korrupsioni’, një ndarje false dhe hipokrite dhe që nuk ndihmon ta shkulim me vendosmëri farën e keqe të korrupsionit nga jetët e punët tona. Drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve publike janë shqiptarë, jetojnë mes nesh, janë djemtë, vajzat, gratë, burrat, vëllezërit, motrat, nënat, baballarët, miqtë e ngushtë, apo kushërinjtë e afërt të atyre që nuk janë sot punonjës publikë. E mes atyre që nuk janë sot punonjës publikë, ka plot që deri dje ishin drejtues e punonjës publikë. Ndaj, koha ka ardhur dhe ka kaluar të marrim përgjegjësi individuale e qytetare për ta luftuar korrupsionin, duke refuzuar të marrim pjesë në akte korruptive qofshim a mos qofshim punonjës publikë, duke denoncuar akte të tilla, duke refuzuar të përfitojmë nga korrupsioni kur këtë e ushtron dikush që është “i yni” dhe mbi të gjitha, duke zbatuar ligjet e jo duke kërkuar zbatimin e tyre vetëm kur është fjala për ‘ata të tjerët’. Lufta kundër korrupsionit nuk është lufta e qytetarëve kundër shtetit të tyre. Ajo është beteja e qytetarëve dhe drejtuesve e punonjësve publikë që duan një shoqëri ku sundon ligji, por dhe që duan të marrin atë që meritojnë, me ata drejtues e punonjës publikë apo qytetarë që duan të përfitojnë pa të drejtë, të vjedhin nga xhepi i tjetrit dhe të shkelin ligjin sa herë që ai bie në kundërshtim me përfitimet e tyre personale. Në këtë betejë, ligji dhe shteti janë mekanizmat e mëdha që demokracia ofron për të arritur qëllimin e një shoqërie ku korrupsionit i priten këmbët, krahët dhe koka.
Të bëhet drejtësi… në një sistem demokratik
Pa dyshim, sistemi i drejtësisë, sidomos prokuroria dhe gjykatat, kanë rol të dorës së parë në ndëshkimin e atyre që marrin pjesë në akte korruptive, si dhe në çrrënjosjen e korrupsionit përmes forcës unike parandaluese të ndëshkimit. Pa dyshim, qytetarët që duan sundimin e ligjit në Shqipëri kërkojnë të shohin drejtësinë të veprojë me ndershmëri dhe guxim në dënimin e të korruptuarve. Në 18 muaj qeverisjeje, kemi denoncuar në prokurori mbi 500 raste të akteve korruptive nga punonjës e drejtues publikë, duke përfshirë shumë zyrtarë të lartë, madje edhe ish-ministra të qeverisë paraardhëse. Nga këto, prokuroria ka dërguar në gjykatë vetëm një pjesë fare të vogël e, më duhet të verifikoj gjatë nëse gjykata ka dënuar ndonjë prej tyre. Llogaritë mund t’i bëni vetë. Në sistemin qeverisës që kemi zgjedhur me Kushtetutë, qeveria çon raste në prokurori, por këtu mbaron fuqia e saj urdhëruese dhe zbatuese. Edhe këtu, kërkesën e llogarisë mund ta drejtoni aty ku duhet. Ndërkohë, reforma e saponisur në sistemin e drejtësisë synon të përmirësojë në mënyrë radikale shpejtësinë dhe cilësinë e veprimit të drejtësisë ndaj shkeljeve të ligjit, si dhe të zbatimit në praktikë dhe rigoroz të parimit të barazisë para ligjit. Kjo reformë mund të ketë sukses vetëm nëse qytetarët, drejtuesit e punonjësit publikë, gjykatësit e prokurorët që duan një shoqëri ku sundon ligji, qofshin përkrahës të qeverisë, të opozitës apo të asnjërit, punojnë së bashku për t’ia kthyer drejtësinë drejtësisë.
Një aleancë e madhe dhe e vërtetë qytetare, që përfshin edhe drejtuesit e punonjësit publikë, policët, gjykatësit e prokurorët e ndershëm, është e domosdoshme nëse duam ta çrrënjosim korrupsionin. Skepticizmi, cinizmi, hedhja baltë pa fakte mbi çdo përpjekje për të luftuar korrupsionin, pa i dhënë kësaj përpjekjeje shansin të tregojë (apo jo) rezultat, na lë në vend dhe është shërbim ndaj atyre njerëzve në shoqëri e institucione publike, që me korrupsionin jetojnë ngrohtë.

* Ministër Shteti për Çështje Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: