Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se qëndrimi i SHBA dhe BE ka qenë i një anshëm ndaj Kosovës, në krahasim me atë për regjimin autoritar të Beogradit.

Në një intervistë të dhënë për “Associated Press”, kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se nëse me një autokrat si Vuçiçi sillesh mirë, kjo nuk e bën atë të ndryshojë sjellje e të përmirësohet, përkundrazi.

“Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”,shtoi ai për Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Kujtojmë se serbët e Kosovës në protestat në Veri patën përplasje jo vetëm me policinë e Kosovës por edhe me trupat e KFOR, duke plagosur rreth 30 ushtarë dhe duke provokuar frikën e ripërtëritjes së konflikteve të përgjakshme në rajon.

Pas një ngjarjeje të tillë, NATO tha se do të dërgonte 700 trupa shtesë në veri të Kosovës.

Brukseli i ka kërkuar Kosovës që të tërheqë forcat e saj speciale të policisë nga veriu i Kosovës, ku jeton shumica e pakicës etnike serbe, dhe të mbajë zgjedhje të reja.

Kurti këmbënguli se forcat speciale të policisë nuk mund të “zvogëloheshin” derisa bandat kriminale serbe ose të largoheshin nga vendi ose të arrestoheshin. Ai tha se paqe në Kosovë do të kishte vetëm nëse nuk do të kishte “urdhra për dhunë nga Beogradi”.

“Fuqitë perëndimore nuk duhet të kënaqin Beogradin, problemin rrënjësor të dhunës në Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti.

Ai u ankua se edhe për zgjedhjet e parakohshme të prillit në katër komunat veriore me shumicë serbe, ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, nuk patën sukses.

Kurti u shpreh se ata i kërkuan Kosovës të bënte ndryshime zgjedhore, por nuk ushtronin presion mbi partinë e vetme politike të serbëve etnikë për të marrë pjesë në votim.

Kreu i qeverisë së Kosovës shtoi se do t’i duhej ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur pluralizmin politik në pakicën etnike serbe “për një konkurrencë të ndershme, për një garë demokratike për kryetarët e rinj të bashkive”.

“Ne nuk mund të përballojmë një proces tjetër ku kandidatët serbë e bojkotojnë atë disa ditë para fillimit të zgjedhjeve, sepse kështu urdhëron Beogradi”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb