Zëvendësministri i Brendshëm, Besfor Lamallari, komentoi përleshjet e forta mes mbështetësve të opozitës dhe policisë në KZAZ-në e Dibrës.

Në emisionin “Kjo Javë”News24, zv.ministri Lamallari deklaroi policia nuk shkoi t’i kapte nëpër shtëpitë e tyre protestuesit, pasi përplasjet ndodhën në KZAZ.

Sipas tij, procesi zgjedhor është i rregull, pasi 30 qershori është data kur shqiptarët janë thirrur të votojnë, dhe është njohur e mbështetur edhe nga ndërkombëtar.

“Pyetja është pse duhet të ndodhte në KZAZ. Policia nuk shkoi t’i kapte në shtëpi. Kemi një proces zgjedhor sipas ligjit, të mbështetur e njohur dhe nga ndërkombëtarët. Data 30 qershor është data kur shqiptarët janë thirrur të votojnë, që do të thotë se KZAZ dhe vendet e votimit janë të mbrojtura”, tha Lamallari.

Duke folur për ditën e nesër, kur mazhoranca do të zhvillojë zgjedhjet vendore e vetme, Lamallari tha se do të jetë një ditë e qetë dhe se për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë dislokuar edhe Forcat Speciale.

Është përdorur dhe gaz lotsjellës, sa e drejtë është?
Ai përdoret sipas protokolleve në fuqi të hartuar kohë më parë. Detyrimi i policisë është të zbatojë me rigorozitet shkallën e gazit, për të mos lejuar agravimin e situatës. Situata të tilla ndodhin pranë vendeve të numërimit dhe detyrimi i policisë është të sigurojë mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor, që qytetarët të votojnë të qetë.

Protestat e opozitës, ka pasur shumë ndalime e shoqërime, a ka një analizë të tyre?
Ka rreth 301 persona të përfshirë, veprimtaria e të cilëve është vërtetuar përmes pamjeve . 71 janë të arrestuar, 92 të shpallur në kërkim dhe 138 janë të proceduar në gjendje të lirë. Të gjithë këta për arsye të përfshirjes në veprimtari të paligjshme.

Në çdo KZAZ duhet të ketë një polic, a mjafton?
Së pari, po flasim për një proces që u përket qytetarëve të vendit. E drejta për t’u zgjedhur është e qytetarëve. Policia është aty për të zbatuar ligjin. Masat janë marrë për çdo situatë potetike, por besoj se do jetë një ditë e qetë. Policia ka bërë detyrën e saj, është treguar shumë profesionale. Ajo çfarë është e rëndësishme, duke respektuar heshtjen zgjedhore, kjo është një e drejtë që iu përket qytetarëve shqiptarë.

Pse u nxor ushtria?
Kjo u pasqyrua në media dhe u krijua përshtypja sikur ishte diçka e veçantë, por është një procedurë standarde e normale. Policia është tejet profesionale dhe ka pasur përvoja për t’u përballur me situata që kërkojnë vëmendje të veçantë.

A ka nxjerrë policia mësim nga protestat?
Në përballjen me protestën vlerësoj uniformën e punonjësit të policisë për sakrificën njerëzore, duke u përballur me akte të dhunshme dhe persona që kanë dhunuar jo vetëm uniformën, por kanë tentuar të dhunojnë themelet e demokracisë së vendit. Përulem me respekt për gjithë punën e tyre.

Më shumë policë te bashkitë që i kanë të djathta …
Kjo nuk ka të bëjë. Janë dislokuar Forcat Speciale për çdo rast eventual. Të gjitha masat në kohë reale.

A ka rrezikuar policia të perceptohet si instrument në mbrojtje të qeverisë?
Policia nuk është përballur me askënd, por me shkeljen e ligjit. Të gjitha sendet e forta, shashkat, molotovët, që janë tejet të rrezikshme për jetën, kështu që mendoj se policia është përballur me paligjshmërinë, dhunimin e ligjit.

Ka pas denoncime se janë shoqëruar dhe njerëz që nuk kanë pasur lidhje me protestat …
Nëse ka raste të tilla që pretendohet ose të ketë ndodhur vërtet ftohen qytetarët të denoncojnë këto raste pranë SHÇBA, që është aty për të vërtetuar çdo rast. Nuk mund të them që ka pasur raste të tilla, por ju bëj thirrje të gjithë atyre që pretendojnë se ka pasur shkelje nga policia, t’i denoncojnë, dhe do verifikohen në mënyrë të plotë, si dhe do trajtohen.

Të arrestuarit e protestave, cilët janë rastet më të rrezikshëm?
Nga provat e mbledhura fokusi ka qenë në pjesën e organizatorëve, te personat e dhunshëm ndaj institucioneve dhe policisë, si gjatë protestave edhe gjatë fushatës. Ndaj janë vlerësuar nga organet e drejtësisë edhe masat e arrestit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb