TIRANË

Ministria e Mbrojtjes njofton se me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e premte, datë 10 Maj 2019 shpallet ditë zie kombëtare në nderim të nëntetares Zarife Muharrem Hasanaj, rënë në krye të detyrës gjatë misionit të saj jashtë.

“Me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e premte, datë 10 Maj 2019 shpallet ditë zie kombëtare në nderim të nëntetares Zarife Muharrem Hasaj, rënë në krye të detyrës gjatë misionit të saj jashtë vendit.

Sipas këtij vendimi, në të gjitha institucionet shtetërore flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë dhe në orën 12 do të mbahet një minutë heshtje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

  • foto galeri

Zarife Hasanaj ndërroi jetë gjatë misionit të saj në Letoni, ku i shpërtheu një minë, kurse janë plagosur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj. Hasanaj u kujtua me respekt nga presidenti i vendit Ilir Meta, kryeministri Rama dhe politikanë të opozitës së bashkuar.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë në familjen e nën tetares Zarife Hasanaj pas kthimit nga Letonia. Ministrja ka ngushëlluar familjarët e efektives së FA, duke e cilësuar humbjen e vajzës së tyre një humbje të të gjithëve.

Ajo iu dha dhe lajmin familjarëve se Hasanaj shpallet “Dëshmore e atdheut”.

“Dhimbja juaj është edhe e jona. Jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Do keni mbështetjen tonë për çdo nevojë. Ndarja nga jeta e Zarifes është një humbje e madhe për të gjithë ne”, deklaroi Xhaçka.

Ndërkq, trupi i nën tetares në arkmortin e mbuluar me flamurin kuq e zi u përcoll me ceremoni të rastit nga Riga, për në Shqipëri. Në bazën Camp Adazi në Letoni paraditen e sotme u organizua ceremonia e lamtumirës me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence”.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb