Hidhet të premten, në orën 11:00, në sallën e mbledhjeve në FSHF, shorti për të përcaktuar edhe kalendarin e Kampionatit të 77-të të Superiores, që në njëfarë mënyre do të jetë edhe “starti” për sezonin e ri futbollistik 2015/2016. Për këtë gjë, FSHF-ja ka njoftuar të gjithë klubet pjesëmarrëse, në mënyrë që të marrin pjesë në një ngjarje të tillë. “Kemi menduar që shortin e kampionatit të ri ta hedhim pak më shpejt se herët e tjera, në mënyrë që t’u japim më shumë kohë skuadrave dhe klubeve për t’u përgatitur për sezonin e ri, pasi kalendari do të jetë edhe mjaft i detajuar”, do të shprehej për ‘sportal.al’ Lysjen Nurishmi, drejtori i Departamentit të Garave në FSHF.

Sikundër dihet, në kampionatin e 77-të të Superiores do të konkurrojnë 10 skuadra, të cilat do të zhvillojnë nga 36 ndeshje secila me sistem vajtje-ardhje, të shtrira në 4 faza. Në shortin që do të përcaktojë kalendarin e kampionatit këtë të premte, do të jetë e ingranuar edhe skema e ndeshjeve që do të luhen për Kupën e 64-rt të Shqipërisë. Risia e kampionatit të 77-të të Superiores do të jetë debutimi i skuadrës së Tërbunit të Pukës, që pas 79 vitesh do të konkurrojnë në elitën e futbollit shqiptar.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb