Një ditë para festës së Kurban Bajramit, Myftinia e Beratit ngre shqetësimin se shumë objekte të kultit mysliman në Berat janë lënë në harresë të plotë nga shteti. Sipas Myfinisë së Beratit, shteti që duhet të jetë i pari që duhet të mbrojë trashëgiminë kulturore kombëtare, ka lënë në harresë totale shumë objekte të kultit mysliman, të cilat tashmë po shkojnë drejt shkatërrimit.

Denoncimi i fortë vjen nga imami në Myftininë e Beratit, Gerald Koro, i cili pohon se ajo që ka ndodhur me objektet e kultit mysliman në lagjen “Kala” të Beratit, tregon qartë se ato kanë mbetur jashtë vëmendjes së shtetit. Imami Koro shprehet se xhamitë jo vetëm që nuk po rikonstruktohen, por po kthehen në stalla bagëtish, teksa thekson faktin se me kishat nuk ndodh e njëjta gjë.

Sipas tij, ato i janë nënshtruar restaurimit të plotë. Imami Koro, përballë heshtjes së shtetit për zgjidhjen e kësaj situate, i bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për t’i kthyer xhamitë e Qarkut të Beratit në funksionale për besimtarët dhe për t’ia kthyer komunitetit mysliman me dinjitet.

Imami Gerald Koro ka denoncuar edhe vjedhjet e dëmtimet e përsëritura që janë kryer në disa xhami. Ai është ndalur në Xhaminë e Kuqe, një ndër më të vjetrat në Shqipëri, tabela e së cilës jo pak herë është gjetur nga besimtarët e thyer.

Sipas Koros, dëmtimi i përsëritur i pllakës treguese të Xhamisë së Kuqe që ndodhet brenda zonës muzeale të Kalasë së Beratit, është kthyer në një problem shqetësues për besimtarët myslimanë beratas që kërkojnë që akte të tilla të mos përsëriten më cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën fetare që karakterizon qytetin e Beratit. Imami Koro u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të reagojnë edhe për këto dëmtime dhe të marrin masat e nevojshme për të ndëshkuar ata që prekin xhamitë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb