Tirana dhe Partizani do të luajnë këtë fundjavë derbin e kryeqytetit në stadiumin kombëtar, “Air Albania”. Ky derbi do të jetë një nga sfidat më të shumëpritura nga tifozët, ku pritet që stadiumi të jetë i mbushur plot me të tillë. “Panorama Sport” ju fton që të lexoni statistikat më të veçanta të këtij derbi ndër vite.

NDESHJET – 164 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës nga viti 1947-2022 në të gjitha kompeticionet: Kupë dhe kampionat.

BILANCI – Partizani ka fituar më shumë se Tirana në derbi, plot 68 ndeshje, ndërsa bardheblutë numërojnë vetëm 45 fitore. 51 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.

GOLAVARAZHI – 224 gola ka shënuar skuadra e kuqe, përkundrejt 179 të bardhebluve. Golat e fundit në derbi, Përgjoni dhe Xhixha shënuan për bardheblutë dhe Stenio Zhunior për të kuqtë, në përballjen e 23 dhjetorit 2021, që përfundoi me fitoren e Tiranës në transfertë në shifrat 1-2 .

ISH-ët – Si rrallëherë, asnjë lojtar i Partizanit nuk ka luajtur si profesionist me Tiranën dhe anasjelltas. Ndërkohë, në stafin e bardhebluve ka dy ish-ë. Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, dhe drejtori sportiv, Tefik Osmani, në karrierën e tyre si futbollistë janë aktivizuar me “demat”.

HISTORIA – Takimi i parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e kuq” fitonin 8-0, duke sigluar kështu edhe fitoren më të thellë deri tani në derbi.

SHPAGIMI – Sakaq, më 22 shtator 1985, Tirana do t’i kthente reston Partizanit, të cilin e mundi 7-3, në një ndeshje që mbahet mend nga tifozët e të dyja skuadrave për lojën e bukur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb