Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i është drejtuar qytetarëve me një thirrje, një ditë para se të nisë Censi 2023.

Në një reagim të bërë bë faqen e Facebook-ut, Komuniteti shprehet se ky është një proces tepër i rëndësishëm, pasi në të do të deklarohet edhe përkatësia fetare e çdo individi.

Reagimi i plotë:

Thirrje

Të dashur besimtarë, praktikantë ose jo.

Nesër, datë 18 shtator 2023, në të gjithë Shqipërinë do të nisë Censusi, Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave të të gjithë shqiptarëve.

Ky është një proces tepër i rëndësishëm, pasi në të do të deklarohet edhe përkatësia fetare e çdo individi.

Megjithëse kjo pjesë është lënë “deklarim me dëshirë”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju bën thirrje dashamirëse të gjithë besimtarëve, qofshin praktikantë ose jo, të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare duke iu përgjigjur pyetjes, ‘cila është feja ose besimi që ndjek ose i përket’, të shënoni: “Mysliman”.

Deklarojeni me krenari besimin tuaj dhe sigurohuni që regjistruesi ta hedhë saktë në tabelën elektronike, ashtu siç ju e deklaroni.

Thirrja nuk është për numra, është për krenari e dinjitet të besimit të secilit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb