Kryeredaktori i ‘Gazetës Shqiptare’, Erl Murati në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ foli për protestën e organizuar nga Partia e Lirisë te inceneratori i Tiranës teksa njëkohësisht ka analizuar edhe situatën në Partinë Demokratike dhe gjendjen ekonomike në vend.

Gjatë bisedës në studio, Murati theksoi se protesta është krejtësisht e legjitimuar edhe pse nuk mund të jetë momenti më i mirë për të protestuar për PD për shkak të ndarjes brenda partisë.

Po ashtu Murati tha se PS po mobilizohet në prag të zgjedhjeve të ardhshme duke zgjeruar pushtetin në vend, pas ndryshimeve të fundit nga qeveria si ai i kreut të Policisë së Shtetit.

Për sa i përket paketës ekonomike antikrizë të qeverisë Murati u shpreh se kjo masë është e pamjaftueshme dhe se vende si Kosova kanë marrë masa ndihmuese për qytetarët, ndërkohë që në Kryeministri po ndërtohet një instalacion me vlerë 4 milionë euro.

Si e shihni situatën politike në vend?

Opozita ka lajmëruar me kohë që do nisi një stinë protestash, dhe regjimi i tyre publik ka qenë mjaft radikal duke premtuar se këto protesta do sjellin ndryshime të mëdha politike. Kjo nuk është periudha më e mirë për opozitën, pasi PD është e përçarë në dy grupe. Kemi dëgjuar edhe deputetë të PD që nuk do marrin pjesë në protestën e organizuar nga PL. Berisha dhe Meta sigurisht që do jenë në protestë te inceneratori i Tiranës, kjo aferë e ka mbajtur ndezur jetën politike në vend muajt e fundit. Protesta është krejt e legjitimuar pasi është e vërtetuar se është bërë një skandal i madh. Megjithatë, nuk besoj që të ndodhi një revolucion. Mazhoranca e ka zgjeruar pushtetin e saj, duke qenë se nga Presidenca është larguar një kritik i madh i veprimeve të tyre siç ishte Meta. Po ashtu kemi ndryshimin e kreut të Policisë së Shtetit dhe kreut të SHISH.

A është bërë kastile kjo gjë?

Pushteti është një ‘ortek’ që sjell edhe më shumë pushtet. Duke iu afruar edhe zgjedhjeve kemi përpjekje të Ramës për zgjerimin e pushtetit të tij. Këto janë disa ngjarje që tregojnë se Rama dhe PS po mobilizohen për zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor. Nga ana tjetër protestat do shërbejnë për të mobilizuar mbështetësit e opozitës por besoj se në fund të fundit ballafaqimi final do ndodhë në kutitë e votimit.

Situata në PD

Zgjedhjet e 6 marsit treguan se kush është opozita në Shqipëri. Kryetari i PD është Sali Berisha. Jo vetëm drejton forumet e PD, por ka edhe mbështetjen e popullit. Fakti që grupi parlamentar është i ndarë dhe një pjesë po flirtojnë me PS, kjo mund t’i sjellë probleme opozitës në të ardhmen.”

A tregon kjo çfarë pret PD në zgjedhjet e ardhshme…
Sistemi politik shqiptar i jep çdo gjë fituesit. Rama dhe PS kontrollojnë çdo gjë në vend. Sado i madh të jetë pushteti politik, financiar apo edhe kriminal mendoj se nëse ka mbështetjen e popullit opozita mund të fitojnë. Është shumë e vështirë për opozitën të fitojë betejën në Kuvend, por beteja për të fituar njerëzit është ende e hapur.

Ndalemi te paketa e ndihmës ekonomike…

Popullsia nuk do vuajë pasojat e paketës por të krizës në vend. Efektet e paketave janë minimale për të mos thënë të padukshme. Çmimet janë rritur në mënyrë drastike. Shumica e vendeve në Ballkan kanë çmime më të lira të karburantit se ne. Kjo rritje çmimesh përkthehet në ulje të pagës. Mendoj se paketa antikrizë është e pamjaftueshme, pa llogaritur edhe rritjen 4-fish të çmimit të energjisë në tetor. Paketa e qeverisë është e pamjaftueshme dhe e keqja për ekonominë shqiptare nuk ka ardhur akoma sipas ekspertëve. Rritja e çmimeve nuk është një fenomen shqiptar, por botëror, pasi çmimet janë rritur kudo. Megjithatë, Shqipëria duhet të ishte ishte e gatshme për të pasur një paketë masash për ta zbutur sadopak këtë gjë. Por kur Kosova jep një paketë ekonomike të denjë për qytetarët e vetë, nuk mund të kemi një instalacion 4 mln euro që ndërtohet në Kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb